7 muaj zvarritje, muret mbajtës afër Spitalit të Tetovës sipas Komunës do të finalizohen në prill
Tash 7 muaj kanë filluar punimet për muret mbajtëse afër Spitalit të Tetovës. Në Nëntor të vitit të kaluar nga Komuna e Tetovës na thanë që ky projekt do të jetë gati deri në fund të muajit dhjetor. Tre muaj kanë kaluar, kurse muret mbajtëse ende nuk janë gati. Tani nga e njëjta komunë na premtuan që në mesin e muajit prill, ky projekt do të finalizohet, njofton Portalb.mk.
Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan që punimet finale do të kryhen në mesin e muajit prill, mirëpo sipas tyre, ka gjasa që i njëjti të përfundojë me date 15 mars.
“80% e punimeve për muret mbajtëse që ndodhen në afërsi të Spitalit të Tetovës tanimë janë kryer dhe ka ngelur vetëm 20% e punëve, apo pjesa finale e këtij projekti. Presim që këto të finalizohen deri më date 15 prill edhe pse firma kontraktuese thotë që përfundon me 15 mars ngaqë atëherë edhe mbyllet sezoni dimëror” thanë nga Komuna e Tetovës.
Me datë 06.08.2019 filluan punimet për ndërtimin e mureve mbajtëse afër Spitalit Klinik të Tetovës, projekt ky që kap vlerën prej 20 milion denarësh.
Me 15 nëntor 2019, gazetari i Portalb.mk vërejti ndërprerje të punimeve, nga Komuna e Tetovës atëherë u arsyetuan me atë se punimet janë ndërprerë për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe premtuan që këto mure mbajtëse, do të jenë gati në fund të muajit dhjetor.
“Punimet janë ndërprere për shkak te rritjes se nivelit te ujit te cilët pamundësojnë zhvillimin e punimeve. Meqë punët janë ne rrumbullukim e sipër pritet qe deri ne fund te muajit dhjetor punimet te përfundojnë” thanë nga Komuna e Tetovës me datë 15 nëntor.
Meqenëse kjo nuk ndodhi, pyetëm përsëri në muajin janar ku ata fajin për mos finalizimin e projektit në muajin të cilin kishin premtuar, e hodhën te kushtet klimatike që sipas tyre “Nuk ju kanë lejuar punëtoreve të punojnë”.
Ndryshe, me fillimin e këtij projekti u tha se do të ndërtohen mure mbrojtëse në atë pjesë e cila mendohet të jetë problematike dhe me rrezikshmëri më të madhe sa i përket qendrës klinike. Projekti ka të bëje me 500 metra gjatësi rregullim të murit nga të dy anët, pra 1 km, 500 metra nga të dyja anët.