Tetovë: Ka filluar ndërtimi i mureve mbajtëse të lumit në afërsi të Spitalit Klinik

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot ka lajmëruar fillimin e punimeve për rregullimin dhe ndërtimin e murit mbajtës te lumi rreth Spitalit Klinik në Tetovë. Ajo njofton se do të rregullohen mure mbajtëse prej 500 metrash, nga të dy anët, transmeton Portalb.mk.

“Sot jemi këtu për të parë fillimin, realisht, është java e parë e punimeve, në projektin e rregullimit dhe ndërtimit të murit mbajtës rreth Spitalit Klinik të qytetit tonë. Në fakt projekti ka të bëjë me 500 metra gjatësi rregullim të murit në të dy anët, pra 1 km, 500 në njërën anë dhe 500 në tjetrën”, tha Teuta Arifi.

Ndërtimi i këtij muri, njofton Arifi, do të bëhet me mjete të Komunës së Tetovës dhe se do të vazhdohet edhe ndërtimi i rrugës për hyrje deri te urgjenca. Ndërtimi i të njëjtit kap vlerën prej 20 milion denarësh.

“E mbulon komplet atë pjesë e cila mendojmë se ishte mjaft problematike dhe normalisht me rrezikshmëri më të madhe për sa i përket qendrës tonë klinike. Vlera e projektit është 20 milion denarë dhe në të njëjtën kohë parashikohet edhe vazhdimi deri te hyrja e urgjencës, e rrugës e cila është bërë, me qëllim që kjo hyrje urgjente të përdoret për qëllimin e vet”, tha Arifi.

Edhe pse Arifi, në maj të vitit kaluar njoftoi se është aplikuar për fonde prej 2 milion eurosh për rregullimin e tërë shtratit të lumit, i njëjti projekt duket sikur sot e kësaj dite vazhdon të ngelet vetëm në letra.

“Qëllimi ynë është që këtë pjesë ne e buxhetojmë me buxhetin tonë, edhe pse me rregullimin e tërë shtratit të lumit që është një projekt shumë më grandioz ne tanimë kemi dorëzuar në qeveri dhe disa institucione ndërkombëtarë. Por për ne si komunë mendojmë se ishte urgjente që këtë pjesë ta buxhetojmë ne për shkak të mos humbjes së kohës”, tha Arifi.

Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi thotë se ndërtimi i rrugës që çon te urgjenca do të lehtësojë qasjen e qytetarëve deri te institucionet shëndetësore.

“Rregullimi i këtij segmenti është shumë i rëndësishëm për arsye se ju shpesh jeni dëshmitar të situatave të ngarkesës së komunikacionit, kështu që vështirësohet qasja deri te hyrja nëpër institucione. Mendoj se me rregullimin e kësaj rruge qytetarët do të kenë qasje më të lehtë deri te institucionet shëndetësore”, tha Besimi

Më shumë mbi ndërtimet dhe deponitë e lumit Shkumbin mund të lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button