Afaristët kërkojnë të përshpejtohet ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë

Nëse nuk mund të përshpejtohen përgatitjet dhe procesi i ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, atëherë së paku të respektohet afati i premtuar që nga viti 2023 të lëshohet në përdorim aksit rrugor i gjatë 12,5 kilometra. Ky është qëndrimi i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore në lidhje me afatet aktuale për ndërtim të kësaj autostrade deri në fund të vitit 2024, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk

– Është për t’u turpëruar fakti që për 12,5 kilometra autostradë ia kemi pamundësuar ekonomisë tone dhe biznes-sektorit tone, qasjen në portin në Durrës dhe shfrytëzim të 320 kilometrave autostradë që tash më është ndërtuar nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë – thonë për “Meta.mk” nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Afaristët ankohen që pikërisht kalimi kufitar “Bllacë” është mundësia e vetme për të eksportuar në rrugë tokësore mallrat drejt Kosovës apo për transit nëpër këtë vend. Nga Oda vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritetet të sigurojnë terminal për shërbime doganore në kalimin kufitar “Jazhincë” në Tetovë, kurse problem identik është edhe me kalimin e sapohapur “Bellanoc-Stançiç” në Kumanovë.

– Kosova bashkë me Shqipërinë janë shtetet e vetme me të cilat kemi shkëmbim pozitiv tregtar dhe për vendin tonë kjo paraqet treg, mundësi e cila për fat të keq tash më shumë vite nuk është shfrytëzuar siç duhet. Konsiderojmë që sa më shpejtë duhet të ndërtohet autostrada Shkup – Bllacë – theksojnë nga kjo odë ekonomike.

Përfaqësuesit e sektorit të biznesit theksojnë që vendi jonë është me keq e renditur në Indeksin global të konkurrencës të zbatuar nga Forumi Botëror ekonomik. Në shtyllën e infrastrukturës, vendi ynë renditet vendin e 75-të nga 141 shtete, derisa në nënkategorinë për lidhshmëri të rrugëve gjendemi në vendin e 91-të. Sipas cilësisë së rrugëve, ekonomistët thonë që jemi në pozitë edhe më të ulët – në pozitën 105-të nga gjithsej 141 shtete.

Ndërkohë, pronarët e tokës nëpër të cilën kalojnë dy kilometrat e para të trasesë së autostradës Shkup – Bllacë nuk janë të kënaqur nga çmimi i ofruar për shpronësim. Ata thonë që shteti u ofron për shpronësim të tokës çmim prej 200 denarë për metër katror për lokacione, të cilat pronarët i vlerësojnë që duhet t’iu paguhen nga 50 euro për metër katror. Ata kërkojnë vlerësim real të truallit nga ana e ekspertëve, ndërsa në të kundërtën thonë që drejtësi do të kërkojnë pranë gjykatës në Strazbur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button