Ramushi “ringjall” skenën politike

Vetëm pak kohë pasi lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është liruar nga të gjitha aktakuzat, bashkëpartiakët e tij kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha në skenën politike.

Nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala, është shprehur i sigurt se politikës kosovare do t’i ndryshojë “formacioni”, ndërsa ka pohuar se Haradinaj është i gatshëm që t’i prijë qeverisë, madje edhe me partinë e kryeministrit aktual, Hashim Thaçi.

Shala ka thënë se Haradinaj do të mund ta marrë “timonin” e qeverisë pa organizuar fare zgjedhje parlamentare, ndërsa ka pohuar se i tërë procesi i rikthimit të tij nga Haga në Prishtinë, është duke kaluar nën patronazhin e kryeministrit, Hashim Thaçi.

Ai ka theksuar se Haradinaj ka vullnet të takohet me të gjithë liderët e partive politike në vend, ngase, siç ka thënë ai, koha po e kërkon atë dhe angazhimin e tij.

Por, qeveritarët e vendit as nuk e pohojnë dhe as nuk e mohojnë nëse janë të gatshëm ta “sakrifikojnë” Thaçin për Haradinajn.

“Është me rëndësi që është liruar (Haradinaj) dhe është legjitimuar lufta e drejtë e UÇK-së, një pjesë e lavdishme e historisë tonë. Ai (Haradinaj) do të jetë pjesë aktive e ndërtimit të shtetit”, është përgjigjur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kur është pyetur nëse PDK-ja dhe Qeveria është e gatshme t’i thotë “po” Ramush Haradinajt në krye të qeverisë, pas një koalicioni me AAK-në.

Në fakt, edhe analistët politikë parashikojnë ndryshime në skenën politike kosovare. Të paktën, nëse jo në përbërjen e qeverisë, rikthimi i Haradinajt, sipas tyre, do të ndikojë direkt në dinamikën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan “Zëri”.

“Skena politike, besoj se do të bëhet më dinamike nga dinamizmi i Ramushit. Sigurisht që do të ketë më shumë dinamizëm, dhe kjo është shumë mirë për skenën politike”, thotë analisti politik Nexhmedin Spahiu.

Kohën e fundit në opinion është përfolur mundësia që sapo të kthehet në Kosovë, partia e tij të futet në koalicion qeverisës me PDK-në, vetë Haradinaj ta drejtojë qeverinë, ndërsa kryeministri aktual, Hashim Thaçi, të bëhet president i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, Spahiu thotë se një gjë e tillë nuk është aq e lehtë të ndodhë, ngase, siç thotë ai, për ta hequr nga Presidenca presidenten Atifete Jahjaga, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve kosovarë, aq sa nuk i kanë së bashku partia e Thaçit dhe ajo e Haradinajt.

Disa muaj më parë Instituti KIPRED pati paralajmëruar se në një të ardhme të afërt PDK-ja dhe AAK-ja do të bëjnë koalicion qeverisës, dhe më pas “UÇK qeveria” do të vendosë për fatin e veriut.

Shpend Kursani nga kjo organizatë, thotë se nëse analizohet “zbutja” e anëtarëve të AAK-së karshi qeverisë, shihet se “prognoza” e tyre ka qenë shumë e saktë, dhe se koalicioni PDK-AAK mund të ndodhë së shpejti.

Shoqëria civile në Kosovë konsiderojnë se hyrja e AAK-së në koalicion me PDK-në, pa u organizuar zgjedhjet e rregullta do ta dëmtonte shumë partinë e Ramush Haradinajt.

“Hyrja në qeveri do të ishte e dëmshme për vetë Haradinajn dhe AAK-në, sepse nuk do të ketë shumë kohë që t’i bëjnë ndryshimet në Qeveri, ato që po thonë se do t’i bëjnë, sepse e ka vetëm një vit kohë deri në zgjedhjet e vitit 2014, e një vit është pak për ndryshime. Nuk e kuptoj pse nuk presin të hynë në koalicion pas zgjedhjeve”, ka thënë Kursani i KIPREDI-it./portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button