Ku përfunduan 100.000 euro për ujësjellësin në Svillare?

Sistemi ujësjellës në Svillare të Epërme, i filluar në korrik të vitit 2011, është harruar nga ana e Komunës së Sarajit. Edhe pse në vënien e gurthemelit u premtua se ky projekt do të përfundojë për tre muaj, tashmë një vit e gjysmë janë ndërprerë punimet. Vendi ku duhet të ndërtohet ujësjellësi ka mbetur bosh, ndërsa dërrasat dhe mjetet tjera që ishin sjellë kanë filluar të kalben dhe asgjësohen.

Për këtë projekt qysh në fillimin e tij janë ndarë gjashtë milion denarë, 3 milion nga Ministria e Ekologjisë dhe 3 milion nga Komuna e Sarajit, vetëm për vitin 2011. Kryetari i atëhershëm i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti pati deklaruar se projekti do të realizohet për tre muaj.

Edhe pse i kontaktuar nga Portalb disa ditë me radhë, kryetari i atëhershëm i komunës së Sarajit Blerim Bexheti, edhe ai nuk përgjigjet në lidhje me këtë projekt. Ndërkaq kryetari aktual i Komunës së Sarajit Bekim Murati thekson se pjesa prej 3 milion denarëve nga Ministria e Ambientit Jetësor i është ndarë kompanisë e cila duhet të zhvillon punimet, dhe sipas tij, ajo kompani ka përfunduar pjesën e paraparë me këto mjete.

“Ky projekt është kofinancim nga Komuna e Sarajit dhe Ministrisë të Ambientit Jetësor. Ministria ka realizuar pjesën e saj prej 3 milion eurosh direkt me kompaninë e cila zhvillon punimet. Me ato para është ndërtuar rezervuari, ndërsa ne si komunë do të vazhdojmë të ndërtojmë rrjetin ujësjellës me pjesën tonë të investimit. Nuk mund të jap ndonjë afat se kur mund të vazhdojnë punimet” – tha Murati.

Edhe pse sipas kryetarit të komunës nuk ka ndërprerje të punimeve, banorët thonë se kohë të gjatë askush nuk ka punuar në këtë projekt. Ata  gjithashtu thonë se ky sistem është i domosdoshëm të realizohet. Rezervuari aktual nuk ka kapacitet që të furnizon me ujë tërë fshatin, i cili numëron mbi 1200 banorë. Sidomos gjatë sezonit të verës, një pjesë e bukur e shtëpive në këtë fshat kanë problem me ujin e pijshëm. 

“E filluan dhe e lanë. Gati dy vjet nuk ka ardhur askush të sillet rreth këtij rezervuari. Fshatit i duhet sepse ky që është tani është shumë i vogël dhe i vjetër. Jemi të detyruar që verës të shkojmë në fshatrat e rrethit për të mbushur ujë” – tha një banor i fshatit.

Ky sistem duhet të jetë me gjatësi prej 2.8 km katror, me  rezervuar 300 metër katror./Portalb/

Rezervuari i vjetër: 

Lajme të ngjashme

Back to top button