Fajon:Nacionalizmi i politikanëve i rrezikshëm për Maqedoninë

Evropa ka nevojë për politikanë të matur dhe qetë e jo të tillë që eskalojnë situatën më tej dhe nuk do nxisin më shumë tensione me shtetet fqinje. Është ky mesazhi i euro-deputetes sllovene Tanja Fajon e cila ishte njëra nga më të zëshmet në Bruksel pro liberalizimit të vizave për Ballkanin, në një intervistë ekskluzive për Portalb. Ajo ka folur edhe për rrezikun e rikthimit të vizave për shtetet e Ballkanit dhe problemet e Maqedonisë me Bullgarinë.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Maqedonia për të katërtën herë mori rekomandimin për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE) por jo edhe datë konkrete sepse çështja e pazgjidhur e emrit me Greqinë serish ia mbyll dyert drejtë familjes evropian.  Prisni ndonjë ndryshim nga mbledhja e ministrave të BE-së më 10 dhjetor?

T.FAJON: Maqedonia ka treguar një progres të mirë, shpresoj që Këshilli i ministrave të BE-së në dhjetor t’i jep datë bisedimesh. Shpresoj por nuk dua të spekuloj. Shpresoj që vitin e ardhshëm do të gjendet një zgjidhje me Greqinë. Një kontest tjetër që është paraqitur është Bullgaria dhe mendoj se është shumë e rëndësishme të dëgjohet mesazhi i ministrit të jashtëm bullgar i cili tha se Maqedonia duhet ti përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët. Fillimi i negociatave deri diku do ta kishte ndalur fjalorin nacionalist të politikanëve dhe banorëve të Maqedonisë. Fjalori popoulist është shumë i rrezikshëm në këto situata. 

PORTALB: A ka gjasa të fillojnë negociatat dhe paralelisht të zgjidhjet çështja e emrit?
T.FAJON: Disa herë e Parlamenti Evropian e ka mbështetur vendimin e Komisionit për ti dhënë rekomandim Maqedonisë dhe deklaratës se shteti juaj duhet ti fillojë bisedimet aderuese me BE-në, pavarësisht kontestit me Greqinë. Do të doja që të shoh në Maqedoni politikanë të matur dhe të qetë të cilët nuk do të eskalojnë situatën më tej dhe nuk do nxisin më shumë tensione me shtetet fqinje. Aktualisht në Bashkimin Evropian kemi shumë nevojë për konsensus dhe politikanë të qetë e jo e kundërta.

PORTALB: Të rikthehemi te problemi i vjetër me azil-kërkuesit. A është e vërtetë se Bashkimi Evropian do ti pezullojë vizat nga viti i ardhshëm. Na sqaroni çfarë ndodh më saktësisht?

T.FAJON:  Numri i madh i azil-kërkuesve që vijnë nga Ballkani Perëndimor, sidomos nga Serbia, Maqedonia kohëve të fundit edhe nga Bosnja paraqet një shqetësim serioz në Bashkimin Evropian (BE). Ne në Parlamentin Evropian (PE) jemi duke e përfunduar marrëveshjen për prezantimin e mekanizmit për pezullimin e përkohshëm të vizave për jo vetëm për Ballkanin por edhe për vendet e botës së tretë. Ky është një propozim i vjetër i Komisionit Evropian (KE) por vendet e BE-së tani janë të disponuara që ta kalojnë në PE. Kështu që unë edhe njëherë u bëj apel autoriteteve të Maqedonisë të bëjnë çmos për ti parandaluar banorët të abuzojnë me regjimin pa viza. Kështu rrezikojnë kthimin e vizave. 

PORTALB: Po cilat janë kushtet, cilat janë ato situata për të cilat mund të kthehen serish vizat?
T.FAJON: Jemi në përpunim të mekanizmit dhe pres që nga fillimi i vitit të ardhshëm do ta miratojmë këtë propozim. Kemi punuar në përmirësimin e kushteve kur mund të ndodh suspenzioni. Kështu që në rastet e një krize të papritur të azil-kërkuesve një apo më shumë vende anëtare të BE-së mund të kërkojnë për pezullim të përkohshëm të vizave fillimisht për gjysmë viti, më pas për nëntë muaj e kështu me radhë. Komisioni do ta vlerësojë situatën dhe vendet anëtare do të japin pëlqimin final.

PORTALB: Disa shtete në BE dukshëm nuk janë të kënaqura me masat që ndërmerr Maqedonia dhe kjo u tha një muaj më parë në mbledhjen e ministrave të jashtëm në të cilën disa shtete kërkuan haptazi të ndalohen vizat. A mendoni se Maqedonia ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar abuzimet?

T.FAJON: Është fakt se ne ende shohim njerëz të cilët e lëshojnë Maqedoninë dhe kërkojnë azil në Gjermani dhe Suedi. Nuk janë vetëm romët që kërkojnë por edhe persona të ri të cilët nuk mund të gjejnë punë në Maqedoni dhe janë të bindur se asnjëherë nuk do të punësohen në këtë shtet. Besoj që vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë masa por e di që mund të bëhet ende më shumë.

PORTALB: Shumica e azilkërkuesve janë shqiptarë dhe romë që vijnë nga vendet më të pazhvilluara të Maqedonisë. Kjo është si pasojë e neglizhencës së autoriteteve që nuk investojnë në këto vende por shuma të mëdha të buxhetit harxhohen për projekte si ai i Shkupi 2014. Çfarë thotë Brukseli për këtë?

T.FAJON: Çështja e minoriteteve është senzitive dhe i kisha rekomanduar Qeverisë së Maqedonisë ta trajtoje me kujdes. Nuk është vetëm problemi i romëve por edhe i të rinjve tjerë që i përkasin nacionaliteteve tjera. Rekomandimet e Brukselit ndër to, investimi në vendet e varfëra Maqedonia duhet seriozisht ti plotësojë.

PORTALB:  Maqedonia morri një raport progresi  të themi “të butë” në krahasim nga raportet e tjera ndërkombëtare ku theksohen se situata me mediet, administratën, korrupsionin në vend nuk kanë përparim të dukshëm. Pse ndodh kjo?

T.FAJON: Korrupsioni nuk është vetën problem i Maqedonisë por ai është i zhvilluar edhe në vendet tjera. Në raport shënohet progresi por sidoqoftë nevojiten të behet edhe më shumë në këtë sferë. Ndërsa problemi i lirisë së medieve në vend ka qenë shqetësues në Maqedonisë. Kohëve të fundit dëgjova se ka pasur disa përmirësime por nënkuptohet se vendi juaj duhet të vazhdojë me reformat në frymën e demokracisë. Dëshirojmë të shohim rezultate të mira.

PORTALB: Domethënë, situata e medieve në vend është përmirësuar sipas jush?

T.FAJON: Jam e vetëdijshme se situata me mediat në Maqedoni nuk është ashtu si që dëshirojmë të jetë se ka presion politik. Është thelbësore që këto presione politike të eliminohen dhe politikanët mos të përzihen në punën e gazetarëve. Do ta kisha përkrahur vendin tuaj të vazhdojë më tej me zhvillimet pozitive sepse ka pasur të tilla kohëve të fundit.

PORTALB: A është vështirë t’ia dalësh mbanë si femër , mes tërë atyre burrave në Parlamentin Evropian?

T.FAJON: Nuk është vështirë nuk e di se çfarë dëshiron te bësh dhe nëse e bën atë me zemër duke besuar në punën tënde. Në PE nuk ka edhe pak femra, 1/3 e tyre janë politikane dhe kjo falë rregullimeve të Kodit Zgjedhor. Sikur mos të kishte të tilla, fotografia e PE do të ishte e tëra me meshkuj. 

PORTALB: Çfarë do të kishit thënë për banorët e Maqedonisë në këtë fund-vit dhe a mendoni të na vizitoni së shpejti?

 T.FAJON: Nuk besoj se këtë vit do të arrij të vizitoj serish Maqedoninë. Apeli im deri te popullata e Maqedonisë është që të fillojnë vitin me më shumë optimizëm dhe përkushtim më të madh për të arritur ambiciet e tyre. Në fund të vitit secili analizon progresin e vet dhe shikon që të vazhdojë më tej me më shumë sukses. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button