Pasi e tërhoqi Qeveria për “gabime” teknike, Ligji për PP sërish në procedurë kuvendore

Propozim-teksti i Ligjit për Prokurori Publike i cili kaloi në Qeveri, prej sot përsëri ndodhet në Kuvend, pasi që Qeveria e tërhoqi për shkak se sipas tyre, ka pasur gabime teknike, njofton Portalb.mk.

Nga pushteti thonë se zgjidhja e propozim-ligjit garanton se të gjitha proceset gjyqësore që kanë qenë nën kompetenca të Prokurorisë Speciale Publike, u ndahen prokurorive publike që të marrin epilog gjyqësor përpara gjykatave kompetence, nëpërmjet procedurës korrekte dhe profesionale, të bazuar në prova.

Nga VMRO-DPMNE, mbeten të qëndrimin se nuk do ta mbështetin këtë ligj, pasi që me atë, sipas tyre, Zaev dëshiron edhe më tej të vazhdojë me amnistimin e krimit ku bisedat e përgjuara nuk do të vlejnë për atë dhe bashkëpunëtorët e tij, por për tjerët do të vlejnë”.

Nëse pushteti siguron shumicë, do të dihet dita e votimit, edhe pse jozyrtarisht ka mbështetje prej partive më të vogla. Porosia nga Bashkimi Evropian është që Ligji nuk është kusht, por është e dëshirueshme që të miratohet përpara mbajtjes së Samitit në Zagreb, në të cilin ka shpresa të mëdha se Maqedonia e Veriut do ta marrë datën për fillimin e bisedimeve.

Dje partitë opozitare Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët deklaruan se nuk do ta votojnë Ligjin për Prokurori, pasi që, propozim-ligji është ndryshuar dhe në të është shtuar që nen me të cilin amnistohen kriminelët.

Me propozim-ligjin, parashikohet që “bombat” përkatësisht materialet nga përgjimet e paligjshme të cilat lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i dorëzoi në Prokurorinë Speciale Publike të jenë prova vetëm në rastet për të cilat janë ngritur akuza deri më 30 qershor 2017, përkatësisht 18 muaj nga dorëzimi i materialeve, në hetimet do të jenë indikacione, kurse në ato parahetimore nuk do të përdoren as si indikacione.

Nëse votohet kjo zgjidhje ligjore kjo do të nënkuptojë që “bombat” nuk do të përdoren si prova, por vetëm si indikacione në rastin “Perandoria”, ku i akuzuari i parë është biznesmeni Orce Kamçev, i cili në anën tjetër është dëshmitar kyç në rastin “Zhvatje” kundër ish prokurores speciale publike, Katica Janeva. Përveç rastit “Perandoria”, “bombat” nuk do të jenë prova as në rastin “Regjistrim” kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, rastin “Pushtetari”, kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski dhe raste tjera të ngritura pas afatit të kontestueshëm. Prapë se prapë prokurorët e PSP-së kanë pohuar që për një pjesë të rasteve përveç “bomba” kanë edhe prova tjera.

Ligji parashihet të fillojë të zbatohet më 30 qershor 2020. Këto janë vetëm pjesë e dispozitave të inkorporuara nga ligji prej rreth pesëdhjetë faqeve. Për zgjidhjen ligjore është negociuar më tepër se një vit. Ky tekst nuk është version final, teksti zyrtar i ligjit ende nuk është publikuar në faqen e Kuvendit.

Kuvendi pritet të shpërndahet më 16 shkurt, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button