“Remzi Hoxha”, reagon Amnesty International: Fajtorët janë të lirë

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International shprehu keqardhje që Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë nuk vuri në vend plotësisht drejtësinë për familjen e Remzi Hoxhës, biznesmenin shqiptar nga Maqedonia, i cili u zhduk në vitin 1995. 

Më 22 nëntor, gjykata shpalli fajtorë tre ish-pjesëtarë të Shërbimit Sekret (SHIK) për rolin e tyre në ndalimin dhe torturimin e zotit Hoxha dhe të dy personave të tjerë, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Megjithatë të tre personat e shpallur fajtorë në këtë çështje, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini, vazhdojnë të jenë të lirë”,- nënvizon Amnesty International. 

Organizata vë në dukje procedurat tejet të zgjatura gjyqësore në Shqipëri, të cilat kanë bërë që të mos rivendoset drejtësia për familjen e Remzi Hoxhës. 

Organizata shpreh gjithashtu keqardhjen që gjykatat britanike nuk siguruan ekstradimin në kohë të Ilir Kumbaros, i cili tashmë qëndron i fshehur. Amnesty International prej vitesh i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të sqarojë fatin e Remzi Hoxhës dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për zhdukjen e tij. /Balkanweb/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button