Edhe 40 vite diskutim kuvendar për Branitellat

Kryetarja e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale Cvetanka Ivanova në një konferencë për shtyp edhe njëherë ka akuzuar partitë qeveritare VMRO dhe BDI se po bëjnë lojë me propozim ligjin për branitellat me qëllim të përfitimit të poenave politike. 

Ajo gjithashtu ka pranuar se me kufizimin e fjalimeve në Komision është shkelur Rregullorja e punës së Kuvendit, por ka shtuar se askush nuk do të mban përgjegjësi për këtë gjë, pasi kjo është bërë me qëllim të zhbllokimit të punës së komisionit dhe shqyrtimit të amendamenteve.
Ndërkohë në seancën e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale deputetët e BDI-së kanë përsëritur qëndrimet e tyre se do të shfrytëzojnë çdo mundësi procedurale për të bllokuar këtë Propozim Ligj.

“Ky koncept me të cilin është sjellë ky Propozim Ligj është i dëmshëm për vendin. Pikërisht për këtë BDI pa dyshim edhe me mbështetjen të cilën e kemi marrë ne me qëndrimet që mbajnë ndërkombëtarët të propozuar edhe në Raportin për progresin e Maqedonisë për vitin 2012 të sjellë nga Komisioni Evropian, jemi të vendosur në qëndrimet tona për ti thënë stop kalimit të këtij Propozim Ligji se me të vërtetë ky Propozim Ligj do sjellë probleme tjera të cilat ne nuk i dëshirojmë, sepse ia duam të mirën vendit, ia duam të mirën marrëdhënieve ndëretnike, e duam të mirën e progresit të vendit” – deklaroi Arben Llabënishti, deputet i BDI-së.

Deputetja tjetër e BDI-së Hajrije Misimi bëri të qartë se shumica nga mbi 15.000 amendamentet e propozuara nuk kanë qëllim ndryshimin, por bllokimin e këtij Propozim Ligji.

“Ky Propozim ligj është i njëanshëm dhe diskriminues. Ky amendament si edhe disa amendamente tjerë nuk do ti shërbejë përmirësimit të ligjit por do ti shërbejë parandalimit të miratimit të këtij Propozim Ligji i cili është i papranueshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë tonë multietnike, për shtetin tonë multietnik i cili pretendon edhe perspektivën evropiane” – tha Misimi.

Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale ka shqyrtuar deri tani 17 amendamente të propozuara nga BDI dhe RDK, ndërsa akoma mbesin mbi 15.000 amendamente për tu shqyrtuar, gjë për të cilën, nëse vazhdohet me këtë mesatare, do të nevojiten mbi 40 vite./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button