Daçiq: Në kohën e luftës do ta likuidoja Thaçin

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi dje se Serbia në zgjidhjen e çështjes së Kosovës (ai mendon në zgjidhje statusi), për çka qenka e gatshme, ai nuk ka bashkëbisedues në Prishtinë, sepse “përfaqësuesit e saj nuk dëshirojnë të bisedojnë për këtë, pasi mendojnë se çështja e statusit është e zgjidhur”.

Sipas asaj që tha Daçiq për televizionin Pink, edhe kryeministri Thaçi e ka të qartë se çështja mund të zgjidhet vetëm nëse gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për serbët.

“Jemi të gatshëm të arrijmë marrëveshje që do të përfillte interesat e serbëve dhe të shqiptarëve, porositi ai, i cili gjatë komunikimit dy herësh me Thaçin në Bruksel, takimet i karakterizoi si “shumë më korrekte sesa që dikush ka pritur”.

“Po ta kisha takuar Thaçin gjatë luftës, me siguri do ta likuidoja, ashtu sikundër edhe ai mua. Por, pasi ka ardhur koha e paqes, duhet të gjejmë njëfarë zgjidhje”, theksoi ai.

Pos tjerash, ai përkujtoi se marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, që do të fillojë të zbatohet nga muaji dhjetor, e ka arritur ekipi i qeverisë së mëparshme  dhe që është realitet që ajo marrëveshje duhet të zbatohet.

Ai shpjegoi se ky zbatim nuk do të sjellë risi, pasi edhe deri tashti janë kryer kontrolle në kalime drejt Kosovës, por në të ardhshmen do të ekzistojë vetëm një punkt, kur rolin ekzekutiv do ta ketë EULEX-i.

Lajme të ngjashme

Back to top button