Këtu di edhe që nuk din

Me rastin e festave të njëqind vjetorit, mëmëdheu, gjegjësisht Tirana po gumëzhinë nga manifestimet pa fund që po mbahen … Ne si trupë  teatrore nga Tetova ishim të ftuar dhe morëm pjesë në festivalin mbarëkombëtar te teatrit ne Tiranë.

Për herë të parë kam luajtur në skenën e teatrit kombëtar të Tiranës dhe jam mahnitur nga publiku i cili kishte nivel shumë të lartë teatror dhe edukativ, niveli i tyre shume i lartë vinte pikërisht nga leximi permanent.

Duke shfrytëzuar kohën maksimalisht ne vizituam edhe panairin e librit dhe disa ngjarje tjera me rëndësi të veçantë.

Në panair kishte me mijëra tituj, njerëz shumë të interesuar për të lexuar dhe për të ditur sa më shumë.

Përshtypja më e madhe ishte se kishte shumë fëmijë dhe të rinjtë, në secilin kënd qëndronin analist dhe botues që i shohim për çdo ditë në mediumet e shtetit tonë, duke na bërë sa më të qartë dhe sa më të kuptueshëm secilin libër për të cilin kemi interesim. Duke ecur dhe vizituar të gjitha shtëpitë botuese një nga një, pamë libra nga më të ndryshmet, unë duke kërkuar një libër që po më interesonte takova një plak i cili me propozoi te blej një libër i cili ishte përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe, e plaku e kishte lexuar atë në vitin 1972 në gjuhën frënge, tek sa dëgjoja plakun me shumë kujdes fillova të mendoj, duke u kthyer në kohë, viti 1972 si është dukur tek NE, pa universitet, pa studentë, pa teatër, thuajse pa asgjë që do të mburreshim…

Këtu din edhe ai që nuk din, sepse të tjerët nuk e dinë se ai nuk din, prandaj s’ka kush ti thotë atij që ti nuk din edhe pse mendon se din…
A thua valle leximi është ai që i bën njerëzit më të sinqertë, më të ndërgjegjshëm, më të sjellshëm dhe më të edukuar?

Tek sa shfletoja disa nga titujt shumë interesantë të atij panairi, thash me veten, “edhe ato libra që i kemi lexuar këtu tek ne, a janë të vërteta apo na i ka përkthyer dikush ashtu siç i ka konvenuar atij” ?!

Të nesërmen tek sa po niseshim për në shtëpi, u ndala disa minuta në një kioskë e cila ishte përplot me gazeta e revista, thash me vete, pse të mos jenë gjithë këto gazeta edhe në tregun tonë?

A thua vallë do të kishte shumë ndikim sikur për çdo ditë mëmëdheu të na i dërgonte gazetat ditore, që edhe ne si shqiptar të skajshëm të mëmëdheut të merrnim informacion për atë se çfarë po ndodh atje ?!

Gjatë rrugës po shfletoja gazetat dhe mendoja sa ndikim do kishin këto gazeta, në përmirësimin e shkrimit, të folurit dhe te menduarit në skajet e mëmëdheut,
Unë ju kërkoj ndjesë të gjithë lexuesve për lëshimet gramatikore që kam në të shkruar, por besoj se kur do të vijnë për çdo ditë gazetat shqiptare këtu, edhe ne do fillojmë të shkruajmë, të flasim dhe të mendojmë ndryshe…/Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button