Maqedonasit e punësuar si shqiptarë, drejtori i Agjencisë së Administratës: S’kemi mekanizëm ligjor për ta penguar

Lëvizja BESA dhe Aleanca reaguan në lidhje me të zgjedhur në konkursin për punësim të 23 administratorëve në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, ndërkaq drejtori i Agjencisë së Administratës thotë se nuk kanë mekanizëm juridik që ta parandalojë këtë situatë, njofton Portalb.mk.

“Lëvizja BESA kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij konkursi, për arsye se është keqpërdor identiteti nacional dhe në vend se të zgjidhen kandidat shqiptarë ashtu siç është e theksuar në konkurs janë zgjedhur kandidat maqedonas”, thonë nga Lëvizja BESA.

“Kujtojmë se, deklaratat e rrejshme para organeve shtetërore në bazë të nenit 366-a dhe 367 të Kodit Penal  janë vepër penale për të cilat parashihet dënim në të holla por edhe dënimi me burg, dhe në këtë aspekt kujtojmë se edhe deklarimi i rrejshëm i përkatësisë për punësime mund të ketë pasoja të njëjta.” thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Ata i përmendin disa prej të përzgjedhurve në konkurs:

  • Ndihmës udhëheqës sektori për ndryshime është zgjedhur Gordana Saviq – shqiptare;
  • Bashkëpunëtor i ri për ndryshime është zgjedhur – shqiptare;
  • Bashkëpunëtor i ri për digjitalizim është zgjedhur Ratko Avramovski – shqiptar;
  • Referent sporteli është zgjedhur Irena Jovanovska – shqiptare;
  • Referent GIS sistemi është zgjedhur Katerina Filipovska – shqiptare;
  • Referent sporteli është zgjedhur Ljupço Çutrevski – shqiptar;
  • Referent për ndryshime është zgjedhur Simona Markovska edhe kjo si shqiptare.

“Çka është edhe më skandaloze nuk janë zgjedh kandidatët për njësitë Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe këshilltar shtetëror për çështje financiare që ju takojnë shqiptarëve. Kjo edhe njëherë dëshmon paaftësinë e BDI-së kundrejt LSDM-së dhe rolin e tyre vasal, si dhe argumenton kërkesën e Lëvizjes BESA për futjen e grafës etnike në dokumentet identifikuese”, thonë nga Lëvizja BESA.

“Definitivisht për ndalimin e kësaj dukurie duhet të ndërmerren masa, dhe shqiptarët të fitojnë barazinë për të cilën me vite u premtohet nga partia në pushtet, ndërsa edhe pas 18 viteve pala maqedonase vazhdon të fitojë në emër të shqiptarëve.” thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Portalb.mk kontaktoi me drejtorin e Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov, i cili tha se nuk kanë mekanizëm ligjor me të cilin do ta parandalonin këtë situatë.

“Nuk kemi mekanizëm ligjor që të konstatojnë se dikush është shqiptar apo maqedonas. Kjo është problem dhe duhet që të korrigjohet që të mos vihet deri te këto situata. Nuk ekziston dokument në shtet në të cilën shkruan përkatësia nacionale. Kur aplikohet për konkurs publik, në vetë aplikimin shkruhen të dhënat personale në mesin e të cilave shkruhet edhe përkatësia etnike. Atje çdo kandidat sit ë dëshirojë e shkruan. Dhe ne ashtu i trajtojmë deri në fund të procedurës, pra ashtu siç janë deklaruar. Ne nuk kemi as mekanizëm e as të drejtë që të kontrollojmë përkatësi etnike. Kjo nuk është e re, kjo ka ndodhur në periudhën e kaluar dhe është problem, megjithatë ne nuk kemi mekanizëm ta parandalojmë”, tha për Portalb.mk, Gligorov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button