Majlinda në Kampionatin Evropian U23

Nga 15 deri më 18 nëntor në Pragë të Çekisë do të zhvillohet Kampionati Evropian i Xhudos U23, ku të gjithë sytë janë të kthyer kah Majlinda Kelmendi.

Përveç Majlindës, Kosovën do ta përfaqësojnë edhe Nora Gjakova, e cila gjithashtu ka gjasa për medalje, si dhe Distria Krasniqi e Korab Morina. Xhudistët kosovarë përgatitjet i kanë zhvilluar në Slloveni në qendrën olimpike Rogla.

“Përgatitjet në Slloveni kanë shkuar shumë mirë. Të enjten do të nisemi për në Çeki, kurse garat do t’i kemi të premten. Gjasat më të mëdha për medalje sigurisht i ka Majlinda Kelmendi, e cila është edhe shpresa jonë më e madhe. Në Abu Dabi ka treguar formë të mirë dhe besoj që do të stoliset me medalje. Sigurisht për medalje të artë, duhet të mundohet shumë, por mund t’ia arrij edhe këtij qëllimi”.

“Konkurrenca në kategorinë e Norës është shumë e madhe. Janë 30 garuese që do të marrin pjesë, kurse 15 do të synojnë medalje. Do të jetë vështirë, pasi nuk është bartëse, por besoj se do të ketë një paraqitje të mirë, pasi ka treguar formë të mirë në garat e fundit. Nora është vetëm 20 vjeçare dhe ka arritur të ngritët në vendin e 50-të në botë”.

“Ky Kampionat do të jetë mundësi e mirë për Distrian dhe Korabin që të fitojnë më shumë përvojë. Xhudoja kosovare ka të ardhme të ndritur dhe kemi shpresa të mëdha në xhudistët e ri. Në Olimpiadën e Rios, mendoj që Majlinda Kelmendi, përsëri do të marr pjesë, ashtu si edhe Nora Gjakova, e cila duhet të punojë shumë që të arrijë normën olimpike”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, për gazetën “Sport”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button