Unazat në qytet, të mira për ata që i dinë rregullat

Viti 2012 për vozitësit e Tetovës do të jetë vit i ndërtimit të unazave nëpër qytet. Largimi i shumë semaforëve nëpër pjesën qendrore të qytetit dhe zëvendësimi i tyre me unaza është top tema e shoferëve nëpër qytetin e Tetovës.

Instruktori i autoshkollës Union Besnik B. thotë se largimi i semaforëve në qytetin e Tetovës është një lehtësim për shoferët e sidomos për instruktorët që kanë punë me shoferë të rinj apo me persona që duhet t’i aftësojnë.

“Pritja e gjatë në semaforë shkaktonte nervozizëm si tek kandidatët ashtu edhe te ne instruktorët, mirëpo është edhe një problem tjetër me të cilën shoferët e rinj që kanë marrë lejen para vendosjeve të unazave nuk janë të njoftuar me rregullat e funksionimit të unazave pasi dhe për këtë arsye me vendosjen e tyre muajve të parë kishim më shumë aksidente nëpër unazat. Por për mendimin tim kjo është një dukuri pozitive që do rregull dhe durim, unazat funksionojnë shumë thjeshtë, ai që është në unazë ka përparësi kalimi”, thotë Besniku, instruktor autoshkolle.

Ndërsa një Neshat Selimi, një taksist privat thotë se për taksistët është lehtësuar puna.

“Tash nuk ka nevojë që të presim shumë gjatë ashtu si më parë me semaforët, por çdo e mirë ka edhe një të keqe. Ndodh shpesh që në unazë të paraqitet një shofer pa përvojë e sidomos në periudhën e mesditës kur komunikacioni është i stërmbushur dhe bllokohet i gjithë komunikacioni. Kjo tregon se duhet të respektohen rregullat e unazave, gjë që shumë vozitës nuk i dinë”, u shpreh Selimi.

Ndërsa nga komuna e Tetovës kanë përsëritur qëndrimin se gjatë ndërtimit të unazave, është mënjanuar edhe sinjalizimi vertikal (semaforët), të cilat sipas studimit të kryer nga Sektori për Komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore do të instalohen në udhëkryqet e qytetit sipas nevojave që do të paraqiten.

“Aktualisht është duke u punuar në rrugën “Bllagoja Toska”, ku do të vendosen semaforë në të dy udhëkryqet. Udhëkryqi i parë ndodhet në afërsi të kompleksit “Tetovarja”, ndërsa tjetri në afërsi të kazermës ushtarake. Gjithë kjo punë bëhet për përmirësimin e komunikacionit në qytet, ndërkohë që semaforët tjerë do të vendosen në vende tjera varësisht nga nevojat, pasi që të jenë bërë studimet paraprake nga Sektori për komunikacion, rrugë dhe tokë ndërtimore”, thonë nga komuna e Tetovës.

Punët për ndërtimin e unazës në qendër të qytetit janë duke vazhduar, ndërsa sipas komunës së Tetovës ky rreth do të jetë më i veçantë, pasi që parashihet që brenda tij të ketë edhe elemente tjera urbanistike./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button