Beni Osmanoski, i pari në Evropë për Kickbox

Beni Osmanoski është sportisti i radhës nga Struga që ka arritur majat në sportet luftarake në arenat e ndryshme ndërkombëtare. Ai së fundmi është shpallur kampion i Europës në K-1 pasi ka arritur të deklasoj për vetëm 55 sekonda Roman Falendry kampionin e trefishtë francez në KICKBOX, THAIBOX, SANDA para disa ditësh.

Para këtij suksesi kampioni europian me origjinë nga fshati Oktis i Strugës disa herë është shpallur edhe kampion i Zvicrës në MUAYTHAI (THAIBOX) si dhe në K-1 në vitin 2010 dhe 2011. Njëzetekatër vjeçari Beni Osmanoski tregon ekskluzivisht për Portalb se rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë, sepse sipas tij janë dashur më shumë se shtatë vite ushtrime intensive për të rritur fleksibilitetin dhe performancën e kërkuar fizike.

”Aktivitetin tim sportiv e nisa në Strugë para shtatë vitesh, por duke qenë se kushtet financiare i kisha të vështira, detyrohem të shpërngulem për në Slloveni. Atje aktivisht paralel me punën ushtroja KICBOX dhe arrita të integrohem me reprezentacionin e këtij shteti, ku mora pjesë në shumë aktivitetet garuese duke shënuar edhe rezultate shumë të mira. Për arsye familjare para tre vitesh shpërngulem në Zvicër, ku gjithashtu ju përkushtova sportit duke arritur për një kohë të shkurtër të shpallem kampion i Zvicrës për vitin 2010 dhe 2011”, tregon ai.

Ndërsa, në lidhje me shpalljen kampion i Europës, ai thotë se ky rezultat është një stad i ri në karrierën e tij sportive, por objektivi i tij final mbetet kampionati Botëror. 

”Objektivi im pas fitores së kampionatit Europian, mbetet ai Botëror dhe të gjitha energjitë e mia janë orientuar drejt realizimit të këtij qëllimi. Tashmë, të planifikuara janë disa luftëra në Francë, Holandë, Estoni dhe Itali dhe nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet në nëntor të 2013 do të kem shansin të luftojë në Kampionatin Botëror në K-1”, thekson ai.

Osmanoski, tregon se tashmë aktivisht në mënyrë profesionale merret me këtë sport në Bernë të Zvicrës ku edhe jeton me familjen e tij. Përveç se ushtron nga pesë orë në ditë, ai për çdo muaj e ka të programuar një ndeshje. Në karrierën e tij profesionale është ndeshur 42 herë nga të cilat ka triumfuar në 36 prej tyre ku 20 kundërshtarë e tij kanë përfunduar me nokaut.

Pas këtij suksesi në drejtim të Benit tashmë kanë ardhur edhe një sërë kërkesash nga kompani të njohura për realizimin e spoteve publicitare apo për pjesëmarrje në filma./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button