Velija: Më siguroni, jua tregoj emrat!

Natali Velija, shtetase gjermane, e arrestuar para dy ditësh për përfitimin joligjor të 1.4 milion eurove, që ishin deponuar për të paguar pasaportat biometrike të Kosovës, pranon se të gjitha këto para i ka marrë, por më pas ato ua ka dhënë zyrtarëve të lartë vendorë.

Por, para se të publikojë emrat e të gjithë mitmarrësve, ajo ka kërkuar siguri nga autoritetet ndërkombëtare.

Kërkesa e saj ka ardhur të mërkurën pasdite në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku ndaj saj dhe Fisnik e Betim Blakajt, është mbajtur seanca për caktim të paraburgimit dhe atë pas kërkesës së prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it, Pascal Persoons, shkruan “Zëri”.

Gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, ka miratuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Natali Velijan, ndërsa për vëllezërit Fisnik e Betim Blakaj ka vendosur që t’ua caktojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh.

Pavarësisht se Velija ka kërkuar siguri, duke aluduar që të jetë dëshmitare e mbrojtur me qëllim të zbulimit të shumë informatave rreth këtij rasti, asaj paraburgimi i është caktuar si e dyshuar për veprën penale të mashtrimit, për vjedhje të rëndë, për veprën penale të shpërdorimit, atë të keqpërdorimit të besimit, veprën penale të falsi?kimit të dokumenteve dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button