Gjysma e Kumanovës është lagje e egër pasi ligji i ka shlyer fshatrat, ndërsa qyteti nuk i regjistroi

Në gjashtë vendbanime periferike kumanovare, 7 vite ndërtohet pa leje, pasi në vitin 2013 me ligj është heq statusi i fshatit, ndërkaq nuk mund të jenë as vendbanime urbane për shkak se nuk figurojnë në Planin e përgjithshëm urbanistik (PPU), shkruan portali SDK, transmeton Portalb.mk.

Gjashtë vendbanime periferike në Kumanovë tash më shtatë vjet janë me status të papërcaktuar, për shkak se nuk janë fshatra, ndërsa nuk mund të jenë as vendbanime urbane për shkak se nuk figurojnë në Planin e përgjithshëm urbanistik (PPU).Qytetarët e Karposhit, Pukovës, Çeshma e Hajdutit, pjesë të Dobroshanes, Babin Dollit dhe Stacionit hekurudhor për atë arsye kanë pasoja të mëdha.

Shtatë vite Komuna Kumanovë nuk ka lëshuar asnjë leje apo aktvendim për ndërtim në lagjet periferike për shkak se nuk kanë plane të detajuara urbanistike (PDU). Qytetarët ankohen që pasi në vitin 2013 me ligj i kanë anuluar dokumentacioni ekzistues urbanistik dhe u është hequr statusi vendbanim rural dhe ata ende presin të jenë pjesë e zonës ndërtimore të qytetit dhe të fitojnë të drejtë për ndërtim legal. Të ballafaquar me problemin e këtillë, banorët e Karposhit, Pukovës, Çeshma e Hajdutit, pjesë të Dobroshanes, Babin Dollit dhe Stacionit hekurudhor janë të detyruar të ndërtojnë objekte pa leje nëse dëshirojnë ta zgjidhin çështjen banesore.

“Kam tokën time dhe dëshiroj të ndërtoj shtëpi për birin tim, mirëpo nga komuna më thonë që nuk ka plan urbanistik për lagjen tonë. Duhet të pres ta sjellin planin e ri, e vetëm pastaj do të mund të ndërtoj. Kjo është kështu me vite, nëse nuk jemi më fshat le të na i sigurojnë të drejtat që i kanë qytetarët tjerë. Kështu as në qiell as në tokë, na detyrojnë ta shkelim ligjin dhe të ndërtojmë objekte pa leje, në vend që të paguajmë dhe të mos kemi probleme me shtetin”, thotë Goran M. nga lagjja Karposh.

“Realisht, njerëzit kanë nevojë për të ndërtuar shtëpi të reja, të përfundojnë garazhin, bodrumin, gardhin, mirëpo për shkak se nuk mund të marrin leje ligjore nga Komuna, vendosin të ndërtojnë pa leje. Këta qytetarë kanë probleme edhe me vendosjen e gardheve. Njerëzit i kanë të hapura oborret dhe dëshirojnë të mbrohen nga qenët, hajnat, thjeshtë dëshirojnë ta rregullojnë hapësirën rreth shtëpive, kurse vendime për ndërtim nuk u japin. Së paku të ketë një vendim të Këshillit me të cilin do t’i përkufizojnë dhe rregullojnë këto çështje,- thonë ekspertë që e njohin këtë problematikë.

Nga Sektori për urbanizëm në Komunën Kumanovë sqarojnë që deri në vitin 2013 qytetarëve u janë lëshuar licenca për ndërtim, mirëpo problemi ka ndodhur kur me vendim të Qeverisë janë anuluar të gjitha planet urbanistike për fshatrat dhe për vendbanimet më të mëdha. Atëherë, Komuna ka qenë e ngarkuar me detyrë të përpunojë plane të reja dhe këtë e ka bërë pothuaj për të gjitha fshatrat, por jo edhe për vendbanimet periferike, sepse ato kanë mbetur me status të papërkufizuar. Sipas Ligjit për ndarje territoriale, ato më nuk janë llogaritur si vendbanime rurale dhe janë transferuar në kadastrën e Komunës Kumanovë, por nuk janë futur në Planin e përgjithshëm urbanistik të qytetit.

Komuna e Kumanovës
Komuna e Kumanovës

“Ato janë vendbanimet e ashtuquajtura satelitore, ato me ndarjen e re territoriale e kanë humbur statusin e fshatit dhe për atë shkak, për ato nuk mund të përgatisim dokumentacion plani, ndërsa sipas PPU ekzistues nuk janë as qytet dhe nuk mund t’u përpunojmë plan detajor, prandaj ato mbesin pezull. Në ligjin nuk ka kornizë për planifikim hapësinor dhe përpunim të PPU për vendbanim. Dhe nuk ka bazë sipas të cilës do të fitojnë dokumentacion për ndërtim. Kur të hartohet PPU i ri për Kumanovën, atëherë do të zgjerohet përfshirja ndërtimore e qytetit dhe do të zgjidhet problemi i tyre, thonë urbanistët e Komunës.

Kryetari i komunës Maksim Dimitrievski thotë që bëhet fjalë për zgjidhje të problemit, për shkak se ka filluar procedura për përpunim të Planit të ri të Përgjithshëm Urbanistik për Kumanovën, megjithëse brenda lagjeve ekziston ndarje te qytetarët nëse dëshirojnë të jenë fshat apo të bëhen pjesë përbërëse e qytetit, për shkak se kjo nënkupton kushte tjera të jetesës dhe detyrime më të mëdha publike dhe komunale ndaj Komunës. PPU i ri është futur në programin vjetor të Komunës, ndërsa edhe Qeveria ka sjell vendim për financimin e të njëjtit, mirëpo realizimi do të zgjatë disa vite për shkak se duhet ta përcaktojë zhvillimin e përgjithshëm dhe infrastrukturën në qytet.

“Ndërmarrja publike ‘Kumanovo pllan’ këtë vit duhet të paraqitet me draft-zgjidhje për PPU të ri, për shkak se Kumanovës i nevojitet të zgjerohet si qytet. Pas miratimit të planit të përgjithshëm do të krijohen kushte për miratim të planeve të reja urbanistike, të cilat do ta përkufizojnë edhe atë përfshirje plani. Deri atëherë, për fat të keq, do të mbesim pikë e vdekur dhe nuk do të mund të ndërtohet në këto rajone, përveç me ndryshime parciale ose miratim të planeve urbanistike jashtë vendbanimeve, kurse për gjë të atillë qytetarët vet parashtrojnë iniciativa”, thotë kryetari i komunës Dimitrievski.

Ai pranon që Komuna ka humbur mjete serioze financiare për shkak të gjendjes së këtillë që e pengon zhvillimin e qytetit, mirëpo thotë që kjo është dukuri dhe rezultat të trashëguara nga miratimi jo konstant i planeve urbanistike të qytetit.

Kumanova, foto nga Perdika, Wikimedia
Kumanova, foto nga Perdika, Wikimedia

“Plani i Përgjithshëm Urbanistik i fundit është miratuar për periudhën 1995 deri në vitin 2000 dhe kemi humbur periudhë të gjatë kohore. Shkaku është sepse procedura është shumë e shtrenjtë dhe kushton më tepër se 500 mijë euro. Unë mendoj që duhet të përgatisim PPU cilësor në të cilin duhet të inkorporohen të gjitha nevojat e qytetarëve dhe sipërfaqe të reja me gjelbërim për të pasur shirit mbrojtës në qytet”, plotëson Dimitrievski.

Në vendbanimet Karposh, Pukovë, Çeshma e Hajdutit, pjesë e Dobroshanes, Babin Dollit dhe Stacioni hekurudhor jetojnë rreth 30 mijë njerëz ose një e treta e popullatës në Komunën Kumanovë. Këto vendbanime me vetë-iniciativë dhe me vetë-kontribut i kanë zgjidhur problemet më të mëdha infrastrukturore, si lidhja në ujësjellës dhe kanalizim, ndërtim i rrugëve dhe pjesë të rrugëve të zonës. Përveç shkollave fillore, nuk kanë infrastrukturë tjetër. Prandaj qytetarët kërkojnë urgjentisht të gjendet zgjidhje e problemit dhe të stimulohet zhvillimi i këtyre vendeve të banuara të cilat gjenden prej 2 deri 5 kilometra nga qendra e Kumanovës. Me mungesën e planeve urbanistike stimulohet shpërngulja, për shkak se njerëzit të cilët nuk mund të fitojnë leje për ndërtim në vendbanimet e tyre janë të detyruar çështjen e tyre banesore ta zgjidhin në qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button