Italia “fundoset” nga moti i keq

Koha e keqe ka shkaktuar probleme të mëdha në Itali. Tre punëtorë kanë humbur jetën pasi kanë mbetur të bllokuar në një automjet që është mbuluar nga uji, për shkak të shembjes së një ure në Albenja, në rajonin e Ligurias. 

Prokuroria ka konfirmuar vdekjen e tre punëtorëve, ndërsa skuadrat e shpëtimit kanë lokalizuar vendndodhjen e tyre por pa arritur të rekuperojnë trupat. 
Ndërkohë, një grua 73-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë pasi është përfshirë nga një valë uji teksa ndodhej në automjetin e saj në lokalitetin e Orbetelos, në rajonin e Toskanës. 

Ndërsa një burrë i së njëjtës moshë, i ndodhur në të njëjtat rrethana, nuk ka mundur t’i rezistojë vërshimit të një përroi, duke ndërruar jetë. Ndërkohë, në lokalitetin e Maremës, po në Toskanë, është mbyllur autostrada, si dhe është ndërprerë përkohësisht transporti hekurudhor. 

Në autostradën në fjalë është verifikuar një çarje rreth 7 metra që ka përfshirë të dyja korsitë, duke detyruar autoritetet të kufizojnë qarkullimin. Probleme ka edhe në disa rrugë që të çojnë drejt Romës dhe disa të tjera në drejtim të Firences, për shkak të përmbytjes së autostradës kryesore. 

Ndërkohë, në disa fshatra niveli i ujit ka kaluar kuotën e 80 centimetrave dhe për kthimin e situatës në normalitet do të duhet, sipas autoriteteve, kohë e gjatë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button