Thaçi i bindur se dialogu do të rezultojë me njohjen e Kosovës nga Serbia

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e sotëm të Kryesisë së PDK-së dhe të kryetarëve të degëve të PDK-së, i ka informuar ata lidhur me rrjedhën e takimit të dytë në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton.

Duke theksuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë është i rëndësishëm për procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike, kryetari Thaçi ka theksuar se në takimin e dytë me kryeministrin e Serbisë, ka ngritur si pikë të parë të diskutimit çështjen e personave të pagjetur, një çështje kjo humane dhe shumë e dhimbshme.

Kryetari i PDK-së theksoi se presioni i Uashingtonit dhe Brukselit mbi Serbinë në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur do të jetë edhe më i fuqishëm.

Para Kryesisë së PDK-së, kryetari Hashim Thaçi përmendi edhe zbatimin në praktikë të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, për të cilën, siç theksoi, jemi pajtuar që të fillojë në dhjetor. Siç theksohet në komunikatën nga kjo mbledhje, Thaçi tha se është diskutuar edhe mundësia e hapjes së Zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe asaj të Serbisë në Prishtinë.

“Serbia ende ka rezervat e saja, sepse e kupton qartë se një hap i tillë është edhe njohje e shtetit të Kosovës. Por, shpresoj se do të arrihet progres lidhur me këtë çështje në takimin e radhës” – u shpreh kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Sipas tij, në takimin midis tyre në Bruksel është biseduar edhe për zhbërjen e strukturave paralele në veri të vendit. Kjo çështje është kusht kyç i BE-së për Serbinë, prandaj duhet të implementohet, tha z.Thaçi. 

Çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të kishave dhe manastireve në Kosovë, sipas kryeministrit Thaçi, është mjaft mirë e qartësuar në Dokumentin e Presidentit Ahtisaari. Në këtë drejtim, në cilësinë e kryeministrit tha se ka ofruar siguri shtesë për mbrojtjen e kishave dhe manastireve, përmes formimit të një njësie të veçantë në kuadër të Policisë së Kosovës.

Në takimin e sotëm, të mbajtur në selinë qëndore të PDK-së, Thaçi ka informuar Kryesinë e partisë së vet edhe për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës rrugore. Ai ka përmendur me këtë vështrim vazhdimin e autostradës nga Vërmica në drejtim të kufirit me Serbinë. Ky projekt, ka thënë ai, ka marrë mbështetjen e BE-së dhe do të financohet nga BE-ja. Përmes ndërtimit të kësaj autostrade, Republika e Kosovës do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me korridorin evropian, tha kryetari Thaçi.

Duke theksuar se kemi përvojë jo të mirë dialoguese me Serbinë, prej vitit 1999, kryetari i PDK-së theksoi se duam të besojmë se kësaj radhe Serbia do t’i marrë me seriozitetin e duhur detyrimet dhe t’i implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura. Ky proces do të rezultojë me integrimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, – u shpreh kryetari Thaçi.

Në takimin me Kryesinë dhe kryetarët e degëve të PDK-së, Thaçi është njoftuar me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka përgëzuar strukturat drejtuese në nivel lokal për organizimin e një procesi të mirëfilltë demokratik dhe transparent, që do të rezultojë me forcimin e mëtejmë të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe rrjedhimisht afirmimin e vlerave të qeverisjes së mirë, që përfaqëson vizioni evropian i PDK-së./Koha/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button