Shqipëria fiton kurorën e “Miss Globe 2012” (FOTO)

Ditët e zhurmshme me bukuroshet e botës, gjatë dy javëve të fundit, kanë marrë fund mbrëmjen e së shtunës, kur u zgjodh fituesja e këtij viti e “Miss Globe”.

Bukuroshja 16 vjeçare, Kleoniki Delijorgji, njëherësh “Miss Shqipëria 2012”, ka hyrë në historinë e kësaj gare si vajza e dytë shqiptare që fiton titullin ndërkombëtar të bukurisë. Më dhjetë vota pro, nga 17 anëtarët e jurisë, ajo ka marrë të drejtën të mbajë kurorën e më të bukurës së Globit për këtë vit, ndërkohë që shoqëruesja e parë është shpallur, Miss Kina, 17 vjeçarja Jinzi Hang dhe shoqëruesja e dytë, Miss Rusia, 21 vjeçarja Inessa Yurinskaya.

Ky ishte momenti magjik i një spektakli që për rreth tre orë dhuroi surpriza dhe emocione në Pallatin e Sportit në Vlorë. 43 bukuroshe të botës kanë festuar bashkë me shqiptarët 100 vjetorin e pavarësisë, kanë garuar dhe përcjellë deri te publiku i shumtë, emocionet e garës. Producenti Petri Bozo për këtë edicion të 39-të të “Miss Globe” kishte ftuar edhe shumë miq në skenën gjigande të ndërtuar në dy kate.

Vajzat kanë performuar në katër sfilata me veshje mbrëmje, bikini, por edhe kostumet popullore të vendeve prej nga vijnë. Emocionet e tyre morën tjetër ngjyrë kur bashkë me këngëtarët Rona Nishliu dhe Ardian Lika kënduan refrenin e “Dua më shumë Shqipërinë”./NOA/Portalb

   

Lajme të ngjashme

Back to top button