Është djegur vetura e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe

Vetura e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e serbëve dhe nënkryetarit të partisë Lista Serbe, Sllavko Simiq, është kapluar nga zjarri sot në orët e para të mëngjesit në komunën e Leposaviqit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, konfirmoi për AA se 25 minuta pas mesnate në Leposaviq “një zjarr shpërtheu në një automjet të tipit ‘Peugeot’ me ngjyrë të zezë me targa të Mitrovicës”.

“Pronari i veturës është personi me inicialet S.S. i lindur në vitin 1984, i nacionalitetit serb që jeton në Kosovë. Automjeti ishte i parkuar në garazhën e papërfunduar para ndërtesës ku jeton ai”, tha Radoviq.

Zëdhënësi i policisë tha se njësitet e zjarrfikëse kanë arritur në vend të ngjarjes, por automjeti ishte djegur plotësisht, ndërsa dëmi është vlerësuar të jetë rreth gjashtë mijë euro.

Radoviq theksoi se prokurori kompetent e përshkroi çështjen si “rrezik i përgjithshëm”.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “djegia e veturës së anëtarit të Kryesisë së Listës Serbe, Sllavko Simiq, në Leposaviq është një veprim frikacak i atyre që besojnë se vullneti i popullit serb në Kosovë për të luftuar për të drejtat e tyre dhe mbijetesën mund të zbehet në këtë mënyrë”.

“Fakti që kjo ka ndodhur në Leposaviq, në veriun e largët të Kosovës, duhet të jetë një mesazh që luftëtarët për të drejtat e popullit serb nuk janë askund të sigurt dhe se jeta dhe prona e tyre janë të rrezikuara kudo që janë”, tha Gjuriq.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë pa vonesë përgjegjësit e këtij sulmi ndaj përfaqësuesit serb në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button