Çair, ndërtesat uzurpojnë gjelbërimin, deri kur?

Situatë alarmuese po krijohet në Komunën e Çairit me urbanizimin e parqeve dhe gjelbërimeve, në vend të të cilave ngrihen shtëpi private, pallate dhe biznese. Në disa lokacione në Çair në vend të parqeve janë ndërtuar ose po ndërtohen ndërtesa të ndryshme, duke ngulfatur ambientin edhe ashtu të dendur të kësaj komune, raporton Portalb.

Çairi pak kohë më parë u shpall komuna më e dendur në Evropë, ndërsa dendësia vazhdon e rritet edhe më tepër duke ndërtuar në çdo park dhe në çdo hapësirë. Vitin e kaluar filluan ndërtime në mes të parkut në afërsi të Restorantit “Biznis”, ndërsa ndërtime të ndryshme po zhvillohen edhe në hapësirat tjera të gjelbra të kësaj komune.

Shkatërrohet  edhe mali i Gazi Babës

As mali i Gazi Babës, mushkëria e kësaj komune, nuk mbetet imune kësaj çmendurie ndërtimore që ka përfshirë komunën. Objektet urbane po ngjiten çdo vit e më lartë në këtë mal, duke rrafshuar atë dhe duke e përshtatur për ndërtim.

Vetëm vitin e kaluar, në zonën e mbrojtur të këtij mali ishin regjistruar 21 ndërtime pa leje. Mafia urbane po shfrytëzonte vakumin e krijuar me mos definimin e kufijve mes komunave Çair, Gazi Babë dhe Butel. Kjo çështje u mbyll në tetor të vitit të kaluar , mirëpo abuzimet vazhdojnë.

Parku i Çairit, ikje nga neveria e komunikacionit

Në kushte të tilla, parku i Çairit mbetet vend i vetëm rekreacioni për banorët e lagjes më të vjetër urbane të Shkupit. Në të ka ulëse dhe është i ndriçuar por fontana nuk funksionon ndërsa skena e amfiteatri deri më tani nuk është shfrytëzuar për ndonjë aktivitet kulturor. Nga këndi për fëmijët kanë mbetur vetëm gjurmët, ndërsa nuk dihet se kur ky kënd do të rinovohet ose do të ndërtohet në një vend tjetër./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button