Kjo është arsyeja pse Leicester i zgjati kontratën trajnerit
Pas titullit kampion të fituar në mënyrë surprizë në sezonin 2015-2016 nën drejtimin e Claudio Ranierit, Leicester është rikthyer sërish në nivele të larta këtë sezon nën drejtimin e ish trajnerit të Liverpoolit, Brendan Rodgers, transmeton SS.
Me 7 fitore radhazi në kampionatin anglez, Leicester është shndërruar në rivalin kryesor të Liverpoolit në garën për titullin kampion, pasi renditet momentalisht në vendin e dytë me 35 pikë, 8 më pak se “The reds” dhe 3 më shumë se Manchester City i vendit të tretë.
Pikërisht këto paraqitje kanë bindur drejtuesit e klubit, që t’i rinovojnë kontratën trajnerit Brendan Rodgers deri në vitin 2025, ndërsa vetë ky i fundit nuk e ka fshehur entuziazmin për momentin që po kalon.
“Kur vendosa të vij këtu, e bëra sepse u entuziazmova nga drejtimi që po merrte klubi dhe nga mënyra se si mund të kontribuoja me eksperiencën time. Kam ardhur këtu me synimin për të arritur diçka dhe ndihmuar Leicesterin që të ndërtojë të ardhmen”, deklaroi Rodgers.