Dënim me burg për tifozët e Leicester
Tetë prej tifozëve anglezë që u arrestuan për shkaktim incidentesh para ndeshjes Atletico Madrid-Leicester City në kuadër të Ligës së Kampioneve të UEFA-së, u është shqiptuar masë arresti me burgim, raporton Anadolu Agency (AA).
Në procesin gjyqësor që është zhvilluar në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë në Madrid, thuhet se tetë tifozët e Leicester Cityt janë dënuar me nga katër muaj burgim për prishje të rendit publik.
Ndërkaq, në një lajm të agjencisë spanjolle të lajmeve EFE bazuar në burime gjyqësore, theksohet se gjashtë nga tetë tifozët në fjalë janë dënuar me nga katër muaj burgim për përplasje me forcat e sigurisë. Gjithashtu theksohet se dënimi me burg mund të shndërrohet në dënim në të holla.
Ndryshe, deri në 70 tifozë të Leicester City-t që ishin mbledhur në sheshin Mayor të Madridit para ndeshjes, kishin dëmtuar mjedisin. Gjatë incidentit ishin lënduar pesë persona, prej të cilëve tre policë dhe dy tifozë, ndërsa tetë tifozë të Leicester Cityt ishin arrestuar.
Nga ana tjetër, një tifoz tjetër anglez i cili u arrestua për ndezje flakadani gjatë ndeshjes, është liruar me kusht.