Ministria ia dha mundësinë kompanisë turke që hartoi projektin për stadiumin t’i ikën tatimit për mijëra euro
Kompania turke Tabanlioglu, që e ka hartuar projektin e Stadiumit Kombëtar, nuk ka paguar tatim në Republikën e Kosovës, ani pse sipas ligjeve në fuqi do të duhej ta bënte një gjë të tillë.
Për 1 milion e 440 mijë euro sa ka kushtuar projekti, e ku ka qenë e përfshirë faza e studimit të fizibilitetit, “Tabanlioglu” do të duhej të paguante 10 për qind tatim, ose 144 mijë euro, raporton Sporti në KTV.
Ikjen nga tatimi ua ka mundësuar kontrata që e ka nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila jashtëligjshëm e ka liruar nga tatimi, duke i marrë përsipër të gjitha shpenzimet tatimore dhe doganore.
Në nenin 5, pika 1, të kontratës që e ka siguruar Sporti në KTV, shkruhet se autoriteti kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Sportit, është përgjegjës për të gjitha tatimet dhe detyrimet doganore, në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq në pikën 2 të të njëjtit nen, saktësohet se të gjitha tatimet dhe detyrimet tjera doganore konsiderohen se janë të përjashtuara nga çmimi i kontraktuar.
Këtë defekt në kontratë, sipas burimeve të Sportit në KTV, ua ka gjetur Auditori, i cili ka kërkuar që të zgjidhet ky problem mes MKRS-së dhe kompanisë turke, pasi është në kundërshtim me ligjet në vend.
Më pas, MKRS-ja ka kërkuar interpretim edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës, se si duhet të veprojë në një situatë të tillë.
Në një përgjigje me shkrim për Sportin në KTV, ATK-ja ka treguar se si duhet të veprojnë kompanitë e huaja, që marrin tender në Kosovë.
“Derisa autoriteti publik nuk konsiderohet person i tatueshëm në kuptimin e zbatimit të ligjit të TVSH-së, atëherë ofruesi i shërbimit, kompania e huaj, nëse mban statusin e personit jorezident, atëherë me qëllim të kryerjes së obligimeve tatimore, biznesi obligohet që të caktojë përfaqësuesin fiskal dhe regjistrimi bëhet vetëm në ATK, në të kundërtën, nëse statusi i biznesit kalon në rezident nga jorezident, atëherë biznesi obligohet që të regjistrohet në ARBK duke u pajisur me NUI dhe në ATK, për t’u pajisur me certifikatë të TVSH”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
As pikën e parë, e as të dytën nuk e ka bërë kompania turke, pasi në bazë të kontratës me MKRS-në nuk ka qenë e obliguar, ani pse me ligjet e Kosovës po.
Gabimin në kontratë e ka pranuar edhe Ministri i Sportit në largim, Kujtim Gashi, i cili i ka thënë televizionit se janë duke punuar që ta gjejnë një zgjidhje.
Kontratë të jashtëligjshme po e quan njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, i cili ka thënë se për këtë gjë, personat që e kanë nënshkruar duhet të japin përgjegjësi.
Gashi ka sqaruar se si duhet të veprojë një kompani e huaj në territorin e Kosovës.
Shkaku i këtij problemi, Ministria e Sportit nuk ia ka kryer ende pagesën e fundit kompanisë turke.
Dy pagesa nga 30 për qind të shumës totale janë kryer, kurse që nga muaji qershor MKRS-ja ka ngurruar të paguajë edhe 40 për qind, madje duke e prishur edhe marrëveshjen, pasi afati i fundit sipas kontratës ka qenë 28 qershori.
Sporti në KTV, nga burime të afërta me Departamentin e Sportit në MKRS, ka mësuar se kompania nga Turqia nuk i është përgjigjur shkrimeve të MKRS-së lidhur me tatimin.
Madje, ata e kanë kërcënuar Ministrinë se do të ndjekin hapat ligjorë, në rast se nuk kryhet pagesa.
Kohavisioni ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga kompania që e ka hartuar projektin e stadiumit Kombëtar, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Në rast se përfaqësuesit e Tabanlioglut nuk pranojnë të shtojnë ankesë të veçantë në kontratë, të cilën po e kërkon Ministria e Sportit, shteti i bie të dëmtohet me 144 mijë euro, shkaku i gabimit me apo pa qëllim të bërë në kontratën e nënshkruar nga ministri Kujtim Gashi, sekretari Veton Firzi dhe përfaqësuesja e prokurimit, Sebahate Boshnjaku.
Kontrata kishte hyrë në fuqi me 7 mars dhe ka përfunduar më 12 korrik 2019.