Këshilli i Sigurimit shqyrton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë të martën raportin e rregullt për zhvillimet tremujore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon në të cilin ai flet dhe shpreson për një normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë për siç thotë, një ‘paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.

“Unë u bëra thirrje të dyja palëve që të bëjnë përpjekje më të fuqishme që të përmirësojnë marrëdhëniet reciproke, me një përkushtim serioz dhe të sinqertë përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, shkruan Ban Ki-moon në raportin e tij për Kosovën.

 
Raporti përfshin periudhën prej 16 korrik deri më 15 tetor të këtij viti dhe do të shqyrtohet nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit pasdite më 27 nëntor, ndërsa presidencën e radhës për këtë muaj e mban India, transmeton RTK.

Do të jetë kjo seanca e fundit për Kosovën në formatin ekzistues të Këshillit të Sigurimit pasi pesë vendeve rotative u skadon mandati dyvjeçar ndërsa u fillon pesë të tjerave. Vendet e reja anëtare do të jenë Luksemburgu, Republika e Koresë, Argjentina, Australia dhe Ruanda.

Vendet që më 31 dhjetor ju skadon mandati janë Gjermania, India, Portugalia, Kolumbia dhe Afrika e Jugut. Edhe në këtë seancë Kosovën do ta përfaqësojë Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ndërkaq në emër të Sekretarit Ban Ki-moon do të flasë përfaqësuesi i tij në Kosovë, Farid Zarif./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button