Katalunjë, votë për pavarësinë?

Krahina spanjolle e Katalunjës është duke zhvilluar këtë të dielë zgjedhjet rajonale, të cilat janë përqendruar tërësisht në çështjen e pavarësisë. 

Nacionalistët katalanas janë të vendosur që të mbajnë së shpejti një referendum, me sondazhet që tregojnë se në krahinën me kryeqendër Barcelonën ka një mbështetje të fuqishme pro-pavarësisë.

Sondazhet paraprake gjithashtu tregojnë se partitë që mbështesin pavarësinë do të fitojnë me diferencë.

Një referendum nuk do të siguronte automatikisht shpalljen shtet sovran dhe i pavarur pa një marrëveshje të mëparshme me Spanjën, por besohet se katalanasit mund të përdorin precedentin e Kosovës për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë.

Këto zgjedhje mbahen në mënyrë të parakohshme, pasi kryeministri i autoritet autonom të Katalunjës, Artur Mas, shpërbëu qeverinë për shkak të pamundësisë për të miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm.

Kriza ekonomike, e cila ka goditur veçanërisht Spanjën, duket se ka forcuar në muajt e fundit gjithmonë më shumë tendencat separatiste të disa krahinave spanjolle, të cilat kërkojnë t’i shpëtojnë taksave të rënda dhe papunësisë së lartë të vendit.

Megjithatë, për Madrin zyrtar, kriza ekonomike po përdoret vetëm si një justifikim nga nacionalistët katalanas, një formë presioni për të fituar lëshime dhe financime të mëtejshme nga shteti spanjoll.

Një shtet i përbërë nga 18 krahina, Spanja duhet të përballojë disa lëvizje separatiste në vend, me më të fuqishmet prej tyre ato në Katalunjës dhe krahinën baske, por gjithashtu në Galaci, Andaluzi apo kranën valenciane./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button