“Parkimi i Qytetit” për 4 vjet ka fituar mbi 1.7 milionë euro nga parkimi në Qendrën Klinike të Shkupit (infografik)

Mbi 1.7 milionë euro ka fituar ndërmarrja publike “Parkimi i qytetit” në 4 vitet e fundit nga menaxhimi i parkimit në Qendrën Klinike Nënë Tereza në Shkup. Të dhënat nga raportet vjetore të punës së kompanisë për periudhën 2015-2018 tregojnë se ky parkim sjellë më shumë të ardhurat se çdo parking tjetër publik me të cilin menaxhon “Parkimi i Qytetit” në të gjithë kryeqytetin, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Duke parë sipas viteve, shumica e të ardhurave ditore nga abonimet në parkingun e Qendrës Klinike janë gjeneruar në vitin 2016 – mbi 470,000 euro. Të ardhurat më të ulëta prej rreth 414,000 euro janë regjistruar në vitin 2015. Të dhënat aktuale për vitin 2019 tregojnë se rritja më e lartë e të ardhurave nga parkingjet e Shkupit është vërejtur në parkingun në Qendrën Klinike, për shkak të rritjes së çmimit të parkimit për punonjësit.

“Megjithë rritjen e çmimit të shërbimit, interesi për përdorimin e shërbimit nuk është zvogëluar, numri i përdoruesve mbetet pothuajse i njëjtë, dhe të ardhurat e këtij parkimi publik janë më të dukshme”, thuhet në raportin e punës për nëntë muajt e parë të vitit të “Parkimi i qytetit”.

Pavarësisht të ardhurave të larta që i realizon ky parking, autoritetet deri më tani nuk kanë arritur të ndërtojnë garazhe të parafabrikuara shumëkatëshe për të adresuar problemin e mungesës së hapësirave për parkim në Qendrën klinike – Shkup. Prej vitesh është premtuar ndërtimi i objekteve që do të rrisin kapacitetin e parkingjeve, por Ministria e shëndetësisë vetëm këtë vit filloi një procedurë për krijimin e partneritetit publik-privat për ndërtimin e dy garazheve të parafabrikuara.

Shpallja e parë në gusht dështoi, për shkak se asnjë kompani nuk ka paraqitur ofertë për të ndërtuar dy garazhet e parafabrikuara. Thirrja e dytë për të gjetur një partner privat për të ndërtuar objektet e parkimit ende nuk është paralajmëruar, e Ministria e shëndetësisë pretendon për Met.Mk se thirrja do të shpallet sa më shpejt që mundet.

– I inkurajojmë të gjithë operatorët ekonomikë të marrin pjesë gjatë dialogut teknik, me komentet dhe sugjerimet e tyre pas çka Komisioni do të përgjigjet në mënyrë të duhur, me qëllim që me prokurimin publik të krijohet partneriteti publik-privat për ndërtimin e garazheve shumëkatëshe brenda Qendrës Klinike “Nënë Tereza” dhe këtë herë të jetë e suksesshme – thonë nga kjo ministri.

Investimi në dy garazhet shumëkatëshe të parafabrikuara do të kapte  shumën prej 30 milionë denarë, që në fakt është pothuajse ekuivalent me të ardhurat vjetore të fituara nga NP “Parkimi i qytetit” nga xhiroja ditore dhe abonimet e parkimit në rrethin e Qendrës Klinike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button