Në Mitrovicë zbulohet shtatorja e Isa Boletinit

Në qendër të Mitrovicës, para pak çastesh, është bërë zbulimi i shtatores së heroit kombëtar Isa Boletinit.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm krerët më ta lartë të institucioneve nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës e Maqedonia.

Zbulimi i shtatores së Isa Boletinit u bë në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka thënë se kjo është një ditë e madhe për Mitrovicën, Kosovën, por edhe mbarë popullin shqiptar, pasi që heroi kombëtar u kthye në atdheun e vet – në Mitrovicën e Minatorëve.

Ai ka pohuar se të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë – në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Tiranë, Ulqin, e diasporë – jetojnë me mendje, shpirt dhe sy të drejtuara kah Mitrovica.

“Jemi sot këtu në qytetin heroik të Mitrovicës për ta ngritur përjetësisht shtatoren e gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë, komandantit Isa Boletinit. Kremtimi i njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosfera festive e përhapur kudo që jetojnë bashkatdhetarët tanë, është e natyrshme, legjitime dhe meritore, si për çdo komb të botës së civilizuar”, ka thënë Thaçi, transmeton “Kosovapress”.

Në emër të familjes Boletini, ka folur nipi i heroit, Isa Boletinit, Gazmendi, i cili ka falënderuar të gjithë ata që kanë bërë çmos që gjyshi i tij të kthehet prapë në Mitrovicë.

Para të pranishmëve kanë folur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ai i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati.

Shtatoren e ka punuar skulptori nga Durrësi, Idriz Balani. Ajo është e gjatë 3.65 metra dhe kap koston prej 60 mijë eurosh./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button