VV: Rritet skandali, hesht Qeveria

Skandali i pasaportave po vazhdon dhe dita-ditës po i rriten përmasat. Heshtja e Qeverisë së Kosovës po ashtu nuk ka të ndalur.

Edhe bashkësia ndërkombëtare, si asnjëherë më parë, nuk deklaron asgjë në lidhje me skandalin e publikuar dhe zbuluar në Kosovë.

Në anën tjetër, dialogu me Serbinë vazhdon me shpejtësi edhe më të madhe, ndërsa Blerim Shala emërohet koordinator politik i bisedimeve me Serbinë, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë ndërmjet veti. Vështirë është të besohet se ministri Rexhepi nuk e ka ditur për ryshfetin për të cilin janë marrë vesh kompania austriake dhe zyrtarë të lartë në ministrinë e Rexhepit. Në të njëjtën kohë, Rexhepi shkarkon njeriun më të afërt dhe më të besueshëm të tij, Sedat Gashin, nga posti i këshilltarit politik për shkak të moskryerjes së detyrës. Kjo ‘detyrë’ sigurisht se ishte për t’u mos u zënë në ryshfet. Pra, ne na servohet të besojmë se këshilltarët politik të Rexhepit (i cili vozit Range Rover 2012) dhe drejtorët e departamenteve në ministrinë e tij nuk i paskan treguar se do t’i marrin 1.4 milion euro nga kompania austriake”.

Sipas VV-së, kryeministri i Kosovës dhe Qeveria Thaçi nuk lëshojnë asnjë deklaratë të vetme në lidhje me skandalin që po shkund opinionin publik në Kosovë, “sepse dihet se Rexhepi është ndër ministrat dhe njerëzit më të afërt të Thaçit, dhe reagimi ndaj Rexhepit do të ishte reagim i Thaçit ndaj vetvetes”.

“Është po ashtu e vështirë për ta besuar se Thaçi nuk paska qenë në dijeni për ryshfetin, e jo vetëm ai. Po të ishte ndryshe, Thaçi do të deklarohej që në fillim”, thuhet më tej në kumtesë.

Vetëvendosje pohon se më brengosëse është heshtja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qasja e EULEX-it ndaj rastit.

“EULEX nuk ka pranuar që Natalie Velijaj të jetë dëshmitare e mbrojtur, që ka sjellë tek heshtja dhe ndërrimi i deklaratës së Veliajt pak ditë më parë. Sa herë që ndonjë skandal rrezikon stabilitetin politik në vend, dhe stabilitetin e Qeverisë Thaçi, përfaqësuesit kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare në vend, heshtin dhe ndalin hetimet. Kjo për shkak se Thaçi ka pranuar tanimë të ulet me Daçiqin, dhe të bëjë kompromise në dëm të Kosovës. Rrezikimi i Qeverisë Thaçi përmes skandaleve të Ministrisë së Punëve të Brendshme do të rrezikonte edhe dialogun e kjo do të ishte humbje për ndërmjetësuesit e dialogut. Pra, përveç dëmeve direkte nga dialogu, ky dialog ka siguruar një çek të bardhë për Thaçin nga bashkësia ndërkombëtare për të bërë çfarë do brenda Kosovës. Në këtë drejtim do të lansohen edhe lajmet për të humbur fokusin nga skandali. Për atë edhe emërimi i Blerim Shalës ditën e djeshme”.

VV deklarons e ky nuk është skandali i parë i Bajram Rexhepit, “por së paku i dhjeti”.

“Ky nuk është skandali i parë i Qeverisë Thaçi, më vonë do të zbulohen edhe shumë të tjerë. Lëvizja Vetëvendosje rikonfirmon qëndrimin e saj se e vetmja mënyrë e forcimit të shtetit të Kosovës janë forcimi i sovranitetit përmes shtetit të së drejtës dhe shtetit zhvillimor. Shteti i së drejtës nënkupton luftën ndaj krimit e korrupsionit në çdo nivel, e posaçërisht të zyrtarëve të lartë. Kur si kreun e Ministrisë që duhet ta luftojë krimin, lënë njeriun që ka shkaktuar dhjetëra skandale, atëherë rezultati nuk ka si të mos jetë, krimi i organizuar, korrupsioni, mungesa e sovranitetit në veri, dhe shtypja e zërave opozitarë përmes forcës”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button