Veturat e vjetra, ndotësit kryesor të ajrit

Me lejimin e hyrjes së automjeteve me standard EURO 1 dhe regjistrimin e tyre në Maqedoni, është përkeqësuar gjendja me ajrin e ndotur në Maqedoni, ndërsa pasojat kanë filluar të duken tani, dhe do të përkeqësohen në të ardhmen, thonë ekologjistët. Mbi  120.000 vetura, kamionë apo autobusë janë importuar në Maqedoni pas liberalizimit të importit të veturave të vjetra në mars të 2010-ës.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se nuk mund të matet ndikimi i veturave të vjetra në ndotjen e ajrit, pasi që monitorimi i ndotjes bëhet në nivel të përgjithshëm dhe jo nga burime të ndara. Ata kanë dërguar raport në Ministrinë e Ekonomisë ku kanë shprehur mendimin e tyre në lidhje me këtë problematikë. 

“Kemi propozuar deri tek qyteti i Shkupit, si kompetent që të propozoj deri tek ministria e brendshme edhe ndoshta një regjim të veçantë të qarkullimit të veturave në vendet ku ndotja është më e lartë, por ka edhe masa tjera të cilat janë më afatgjate, duke instaluar edhe filtra nëpër kapacitet të cilat janë ndotës më të mëdhenj, duke bërë kontrolle më të rrepta, mirëpo këto janë masa të cilat duhet të jenë mirë  të koordinuara me të gjitha institucionet” – pati deklaruar ministri Abdylaqim Ademi.

Organizata joqeveritare “Eko-svest” është në realizim e sipër të një projekti me të cilën do të matet niveli i ndotjes në qytetin e Shkupit.

“Në kuadër të projektit do të dizajnohen 4 meteo senzorë në 4 pika në territorin e Shkupit. Kutitë do të kenë mundësi për matjen e disa nga parametrat më të rëndësishme sipas të cilave do të matet kualiteti i ajrit dhe të njëjtat do të transmetohen në internet portal prej ku do të mund të ndiqen të katër pikat në Shkup” – tha Nevenka Smilevska, koordinatore e këtij projekti.

Kualiteti i ajrit në Shkup viteve të fundit është në kufi të së lejuarës dhe paraqet rrezik konstant për shëndetin e qytetarëve./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button