Mbyllet “dosja Hoxha”, Kumbaro merr 15 vjet burg

Përfundoi odiseja katërvjeçare e procesit gjyqësor për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë.

Gjykata për Krime të Rënda ka shpallur sot fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e shqiptarit Remzi Hoxha, të pandehurin Ilir Kumbaro, duke e dënuar atë me 15 vjet burg.

Po ashtu fajtorë janë shpallur edhe dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, por ata kanë përfituar nga amnistia, duke shmangur kështu dënimin me burg.

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, i biri i Remzi Hoxhës u shpreh se drejtësia i vrau të atin për të dytën herë, duke mos shprehur dakordim për vendimin e dhënë nga gjykata.

Aktualisht, ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro nuk i dihet vendndodhja, pasi ai i iku drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Kumbaro u arratis në një kohë që në Shqipëri Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.

Më 21 tetor të këtij viti u mbushën 17 vjet nga zhdukja e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut, Avni Koldashi, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro janë akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e Hoxhës./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button