Dëshmitari ndërroi mendje: Nuk mbaj mend se në autobus ka pasur mjet për manipulim të shpejtësisë

Ish shoferi i “Durmo Turs”, Besnik Halili, sot është paraqitur si dëshmitar për aksidentin në Llaskarcë dhe ka mohuar përpara prokurorit gjithçka që ka thënë përpara disa muajve. Sot Halilit asgjë nuk i kujtohet për autobusin e aksidentuar, të cilin e ka vozitur prej vitit 2007-të deri në vitin 2014-të, në relacionin Gostivar-Shkup dhe anasjelltas, njofton Portalb.mk.

Edhe pse u betua se nuk do të dëshmojë rrejshëm, Halili tani thotë se prokurori nuk e ka shkruar saktë atë që ai e ka thënë.

“Kjo nuk është e vërtetë, nuk janë fjalët e mia. Unë nuk jam aq inteligjent që ta them këtë”, tha Halili.

Edhe pse prokurori ka shkruar se Halili përpara tij ka thënë se në autobus ka pasur pajisje, sustë për manipulim me takografin, gjegjësisht pajisje me të cilin ulet shpejtësia e lëvizjes së autobusit, sot përpara gjykatës thotë se nuk i kujtohet se ka pasur pajisje të tillë. Përpara prokurorit e ka përshkruar se ku ka qëndruar susta, ndërkaq tani thotë se nuk e ka ditur fare për këtë pajisje.

Përpara prokurorit ka thënë se ai personalisht e ka dërguar takografin në servisim te një ndërmarrje në Shkup me urdhër të një të akuzuarit, Remzi Miftari, tani thotë se asgjë nuk i kujtohet.

Avokatët reagojnë se prokurori prej përpara dëshmitarin e ka shpallur si dëshmitar armik të mbrojtjes dhe se është munduar të tërheqë diçka prej dëshmitarit që ai nuk e ka thënë. Prokurori ka zbuluar se në seancën e kaluar në gjykatë e ka parë dëshmitarin duke biseduar me të akuzuarin Miftari, edhe pse nuk guxon.

Gjykimi është në procedurë dëshmuese dhe po merren në pyetje dëshmitarët. Në aksidentin në Llaskarcë, më 13 shkurt kanë humbur jetën 16 persona dhe 38-të të tjerë janë lënduar.

Rastin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska- Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski. Të akuzuar janë 6 persona, dhe atë, pronari i kompanisë transportuese “Durmo Turs”Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button