Kosova dhe Serbia, pajtohen për zyra?

Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë mund të arrijnë marrëveshje të mërkurën e ardhshme për hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.

Burime të “Express” kanë treguar se kjo marrëveshje mund të ndodhë në takimin e radhës, që do të mbahet mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.

Sipas burimeve, mundësia për pajtimin e Thaçit dhe Dacicit për hapjen e zyrave në të dy kryeqytetet është e madhe, duke parë gatishmërinë e liderëve të të dyjave vendeve për arritjen e marrëveshjeve të vështira.

“Hapjen e zyrave ndërlidhëse e kanë kërkuar edhe Sekretarja Clinton dhe Baronesha Ashton gjatë takimeve që kanë pasur me Daçiqin në Beograd dhe me Thaçin në Prishtinë”, ka thënë burimi.

Gatishmërinë e Beogradit për të diskutuar tema të rënda e ka konfirmuar të enjten edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë një takimi që ka pasur me drejtorin për Zgjerim të BE’së, Stefano Sanino.

Daçiq ka konfirmuar se takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet më 7 nëntor.

“Me siguri është zakon që të nisemi nga temat më të lehta, por nuk ikim nga bisedimet mbi temat më të vështira. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë jo vetëm mbi energjinë elektrike dhe telefoninë, veç edhe mbi zgjidhjen përfundimtare”, ka deklaruar Daçiq./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button