Në Pejë u dënuan tetë mashtrues me veteranë të UÇK-së, prokurorja tregoi mënyrat e mashtrimit
Të ndarë nga rasti ku akuzohen Agim Çeku, Rrustem Berisha e të tjerët, Prokuroria dhe Gjykata në Pejë, së fundmi kanë ngritur dhjetëra aktakuza e kanë gjykuar raste të veteranëve të rrejshëm.
Disa prej të akuzuarve nga Prokuroria e Pejës, kanë pranuar fajësinë dhe më pas, ndaj tyre janë shqiptuar dënime kryesisht me burgim me kusht dhe me gjobë, raporton KTV.
Ndërsa, për herë të parë, 4 veteranëve mashtrues u janë shqiptuar edhe dënime plotësuese, duke i obliguar ata që t’i kthejnë mjetet e përfituara në emër të pensionit të veteranit të UÇK-së.
Prokurorja e Themelores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, që po i heton listat e veteranëve të Dukagjinit, thotë se deri në shtator të këtij viti janë ngritur 38 aktakuza.
Prokurorja Vuçetaj tregon nga kush dhe si u pajisën me dokumente false veteranët e rrejshëm.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se aktakuzat ndaj veteranëve të rrejshëm dhe dënimi i tyre, dëshmojnë fryrjen e qëllimshme të listës së veteranëve.
Organizata e Veteranëve të UÇK-së kërkon që secili veteran mashtrues të hiqet nga lista e veteranëve.
Prokuroria Themelore e Pejës po i heton mbi 7,800 aplikacione të veteranëve nga rajoni i Dukagjinit.