ESHA: Shteti nuk ndan mjaftueshëm për transportin hekurudhor dhe infrastrukturë

Qeveria, përmes ministrisë kompetente për buxhetin vjetor të vitit 2018, ka ndarë më pak fonde sesa duhej për funksionimin normal të transportit hekurudhor dhe mirëmbajtjen e hekurudhave. Enti shtetëror i auditimit e ka konstatuar këtë në Raportin përfundimtar për auditimin e realizuar të raporteve financiare dhe të harmonizimit për vitin 2018 në llogarinë e buxhetit themelor (637) të Ministrisë së transportit dhe lidhjeve, transmeton Meta.mk.

Auditorët në raport konfirmojnë se ministria kompetente nga buxheti i saj e ka për detyrë të mbulojë vetëm një pjesë të humbjes së Hekurudhave RMV – Transporti, por gjithashtu theksojnë se subvencionet shtetërore për operatorin e transportit janë të pamjaftueshme për të mbuluar kostot e transportit hekurudhor të pasagjerëve.

Të ardhurat e realizuara nga transporti i pasagjerëve vitin e kaluar kanë qenë mbi 50.1 milionë denarë, ndërsa subvencionet që i ka dhënë qeveria, për transportin hekurudhor të pasagjerëve, kapin shumën prej 430 milionë denarë. Përkundër kësaj, kompania hekurudhore ka raportuar se kostoja e mirëmbajtjes së trenave të pasagjerëve vitin e kaluar ka kap shumën prej mbi 758 milionë denarë.

“Auditimi e tërheq vëmendjen se subvencionimi jo i plotë i kostove të trafikut të pasagjerëve si një shërbim me interes publik për të cilin nuk sigurohen të ardhura nga transportuesi shtetëror, e vë në dyshim sigurimin e shërbimit publik cilësor – në transportin hekurudhor”, thuhet në raport.

Auditorë e kanë kritikuar shtetin edhe për atë se ka ndarë më pak fonde për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore. Siç thuhet në raport, neni 118 i Ligjit për Sistemin Hekurudhor përcakton se të paktën 0.3% e të ardhurave të planifikuara tatimore në buxhetin qendror duhet të ndahen çdo vit në infrastrukturën hekurudhore nga buxheti qendror.

Në vend të kësaj, qeveria me programin e saj vjetor për financim të infrastrukturës hekurudhore për vitin 2018 kishte ndarë fonde në vlerë prej 292 milion denarë. Përkundër kësaj, minimumi vjetor ligjor që kërkohet t’i paguhet vitin e kaluar ndërmarrjes publike për infrastrukturë hekurudhore – Hekurudhat e RMV-së ka qenë mbi 343 milion denarë.

Auditorët kanë konstatuar që fakti që janë ndarë më pak mjete vitin e kaluar mund të ndikojnë në mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese hekurudhore si një e mirë e përgjithshme e vendit. Situata lidhur me këtë çështje u korrigjua në qershor 2019, kur Parlamenti e miratoi Programin kombëtar të infrastrukturës hekurudhore 2019-2021, me të cilin më në fund janë parashikuar fonde që e tejkalojnë minimumin ligjor prej 0.3% të të ardhurave tatimore të planifikuara në buxhetin vjetor të shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button