Inclusive: Personat me aftësi të kufizuara ende janë të diskriminuar gjatë procesit zgjedhor

Sipas raportit të monitorimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, personat me aftësi të kufizuara ende hasin në shumë probleme, vështirësi por edhe kufizime për të shfrytëzuar të drejtën e votës në mënyrë të barabartë me të tjerët, gjë që i diskriminon dhe shkel të drejtat e tyre. Ky konstatim është sjellë nga vetë vëzhguesit me aftësi të kufizuara, që kanë monitoruar zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.

Sipas Blagica Dimitrovska, kryetare e “Inclusive”, mungon edhe ndihma që duhet ofruar këtyre personave gjatë procesit zgjedhor. Ajo madje thotë se në disa vendvotime nuk ka kushte që ju mundësojnë atyre të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Sipas raportit legjislacioni zgjedhor nuk është në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Së pari dua të them se zgjedhjet presidenciale janë vëzhguar nga 40 vëzhgues me aftësi të kufizuara, në të gjithë 8 regjionet në shtet, në 23 komuna. Është vëzhguar qasja e këtyre personave deri te objektet, qasja deri te materialet, qëndrimi i bordeve zgjedhore ndaj tyre dhe të gjithë padrejtësitë tjera që i bëjnë vëzhguesit tjerë”, tha Dimitrovska.

Uebfaqja e KSHZ gjithashtu kërkohet të jetë e arritshme për personat me aftësi të kufizuara, të edukojë bordet zgjedhore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, dhe KSHZ-ja të krijojë regjistrime speciale për këta persona si votues. Partitë politike, siç thonë ata, duhet të bëjnë programet e tyre, si dhe materialet e fushatës në dispozicion të këtyre personave. Sipas Dimitrovskës, në Kodin Zgjedhor nuk ka dispozitë sipas të cilës vendvotimet duhet të jenë fizikisht të qasshme.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, i cili mori pjesë në prezantimin e raportit, theksoi se gjatë procesit të fundit zgjedhor gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, bashkëpunimi me “Inclusive” është përmirësuar për të promovuar të drejtat e votimit të personave me aftësi të kufizuara.

“Raporti është një fotografi se si “Inclusive”, i ka parë ato zgjedhje presidenciale, mënyrën e funksionimit të organeve zgjedhore, të gjitha të mirat dhe të këqijat e procesit zgjedhor, të cilat ne si KSHZ-të duam t’i dëgjojmë në ciklet e ardhshme që duhet të përgatisim, për t’i përmirësuar ato në një farë mënyre”, tha Derkovski.

Derkovski: KSHZ e gatshme të realizojë zgjedhjet edhe me lista të hapura

Komisioni Shtetëror Zgjedhor është i gatshëm të zhvillojë zgjedhjet parlamentare me çfardo modeli që do të vendosin partitë politike, përfshirë një model të listave të hapura, tha sot Derkovski. Ne, shtoi ai, si institucion jemi gati. Punojmë vazhdimisht dhe jemi të gatshëm për të zbatuar atë që partitë politike do të bien dakord.

Për sa i përket modelit zgjedhor, se cili do të ishte më i miri për të, Derkovski theksoi se mendimi i tij ishte në thelb i parëndësishëm, pasi kjo varej nga marrëveshja e partive politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button