Clinton e Ashton, pas Jahjagës takojnë Thaçin

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, kanë përfunduar takimin me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kanë nisur takimin me kryeministrin Hashim Thaçi.
Para largimit, ato do të paraqiten edhe në një konferencë të përbashkët për media.

Clinton dhe Ashton kanë mbërritur mbrëmë në Prishtinë, ku janë pritur nga presidentja Jahjaga. Paraprakisht ato kanë vizituar Sarajevën dhe Beogradin.

Në Prishtinë, pritjet janë që Clinton dhe Ashton të japin mesazhe të qarta për sa i përket vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi.

Ngjashëm me deklaratat e bëra në Beograd, edhe në Prishtinë pritet që dy udhëheqëset e diplomacisë amerikane, përkatësisht asaj evropiane, ta bëjnë të qartë se marrëveshjet e deritashme në dialogun Prishtinë-Beograd duhet të zbatohen, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Ndërkaq, theks i veçantë pritet t’i kushtohet raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet theksuar se Brukseli dhe Washingtoni në disa raste janë deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në proceset integruese duke mos e penguar njëra tjetrën.

Paraprakisht gjatë qëndrimit në Beograd, sekretarja Clinton ka mbështetur procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe njëkohësisht ka përkrahur dialogun Beograd-Prishtinë, duke theksuar se kjo gjë nuk nënkupton se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk kemi ardhur këtu që të paraqesim kushte apo të ushtrojmë kontroll”, ka thënë Clinton, duke shtuar se e ardhmja e Serbisë gjendet brenda vetë këtij shteti.Ajo ka përshëndetur ngritjen e bisedimeve në nivel politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke e cilësuar si një mundësi për vazhdimin e dialogut për çështje thelbësore./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button