Balla: Bisedimet për anëtarësim në Maj 2020
Pavarësisht përgjigjes negative nga Këshilli i Europës për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, mazhoranca shpreson se deri në Samitin e Zagrebit, dy vendet do të nisin bisedimet e anëtarësimit. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla gjatë një seminari të organizuar nga OSBE/ODIHR-i ku morën pjesë 60 parlamentarë nga vendet aspirante për anëtarësim në BE, tha se deri në Maj të 2020-ës Shqipëria do të vijojë me reformat, transmeton Klan.
“Unë besoj se do të ketë reflektim dhe se deri në Samitin e Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor në Maj 2020, me siguri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisim bisedimet për anëtarësim”.
Reforma Zgjedhore, e lënë si detyrë shtëpie për klasën politike nga Bundestagu gjerman, për shumicën duhet të miratohet brenda vitit, ndaj dhe Balla apeloi për bashkëpunim në mënyrë që të adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në Kodin Elektoral.
“Brenda Dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqënëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria brenda Dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Apeli im, edhe për grupimet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, është që përtej interesave politike që mund të kemi, adresimi i nevojave të ndryshimit të Kodit Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it duhet të jetë i menjëhershëm”.
Sakaq, edhe opozita prej disa ditësh përmes ekspertëve të saj ka filluar punën për reformën elektorale duke dhënë edhe zgjidhje konkrete, bazuar në platformën 5-pikëshe që i kanë ofruar shumica.