Tiranë: Zhgënjim nga BE, vendosmëri për rrugën drejt Europës

Tirana zyrtare ka reaguar e zhgënjyer, pas Jo-së së BE për negociatat. Kurse DASH shprehet se ka mbështetje dhe shpresa për një vendim pozitiv në verën e vitit 2020, shkruan Dojçe Vele.

Zhgënjim nga BE, vendosmëri për të vijuar reformat dhe vetëdije se Europa është e vetmja e ardhme e Shqipërisë. Këto mesazhe përҫoi kryeministri Rama, në një konferencë shtypi, prej 90 minutash në pasditen e vonë të së enjtes (18.10.2019) pas mos marrjes nga Këshilli Europian të vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zhgënjim për qëndrimin e Francës

Zhgënjimi u shfaq qartë si në portretin edhe deklaratat e kryeministrit Rama, kur këmbënguli se Shqipëria meritonte një vendim pozitiv pasi “i ka përmbushur detyrat, ka bërë përpjekje maksimale për të marrë atë që ka merituar. Këtë tanimë e ka thënë jo vetëm me shkrim Komisioni Europian, por një pjesë e madhe e kryeministrave të Bashkimit Europian dhe vetë Kancelarja e Gjermanisë” theksoi ai.

Duke iu referuar qëndrimit të patundur të Francës kundër hapjes së negociatave Rama tha se ai “nuk ka të bëjë me çfarë kemi bërë ose do të bëjmë, por me një përplasje qasjesh brenda vetë BE dhe mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare për arsyet e tyre.”

“Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE, kërkon një transformim të vetë procesit të integrimit, madje, deri në pikën që të arrihet një tjetër objektiv për horizontin e integrimit, që do të thotë një ndërveprim me Ballkanin Perëndimor, që nuk mund të zhvillohet, sipas Presidentit të Francës, me të njëjtën metodë që është zhvilluar procesi i deritanishëm i zgjerimit,” tha në konferencën për shtyp kryeministri Rama.

Europa – e vetmja e ardhme e Shqipërisë

Por kërkesa për reformimin e brendshëm të BE dhe një metode tjetër të procesit të zgjerimit nuk përjashton perspektivën e integrimit të rajonit në BE, vuri në dukje Rama. Me këtë këndvështrim optimist ai rikonfirmoi se Europa është e vetmja e ardhme e Shqipërisë. “Shqipëria do të vijojë realizimin e reformave, reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, plotësimin e institucioneve kryesore të Drejtësisë dhe do të plotësojë parakushtet e vendosura në votën “PO” të Bundestagut. Europa është e vetmja alternativë për Shqipërinë. Europa është i vetmi destinacion i Shqipërisë” .

SHBA- zhgënjim, shpresa në verën 2020 dhe mbështetje drejt Europës

Këtë destinacion mbështesin për Shqipërinë edhe SHBA. Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi “Konkluzionet e Këshillit Europian për Zgjerimin” të publikuar të enjten (18.10) theksohet se “SHBA janë të zhgënjyera që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.” “Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do të t’i ishte kundërvënë aktorëve dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat europiane dhe komunitetin euro-atlantik”, thekson deklarata, duke nënkuptuar Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

Por deklarata ka një këndvështrim optimist, kur vë në dukje se “Këshilli Europian nuk i tha “Jo” as Shqipërisë, as Maqedonisë së Veriut dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dyja vendet kohë përpara samitit BE- Ballkan Perëndimor, në verën tjetër.” Fjala është për samitin e Zagrebit, në verën 2020, kur Kroacia mban presidencën e Këshillit Europian në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm.

DASH rikonformon se SHBA do të mbeten partnerë strategjikë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e tyre për të kryer reformat, sigurua  sundimin e ligjit,  luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. “I nxisim të dyja vendet të mbeten të palëkundura në ndërtimin e shoqërive transparente, demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. SHBA do të vazhdojnë të punojnë me partnerët europianë për të ҫuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon deklarata duke sjellë në vëmendje rrezikun e destabilitetit në rajon, nëse i mungon perspektiva e hyrjes në BE.

Ndërkohë opozita jashtë parlamentare në Shqipëri e sheh mosmarrjen e vendimit për hapjen e negociatave jo si pasojë e problemeve të brendshme të BE por të keqqeverisjes Rama. Kryetari i PD, që kryeson këtë opozitë, tha të enjten në një konferencë për shtyp, se kryeministri Rama do të duhej të jepte dorëheqjen dhe se opozita është “e gatshme të shkojë që nesër në zgjedhje të parakohshme parlamentare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button