Tre faktorët që mund ta rrezikojnë marrjen e datës së BE-së nga RMV-ja

Njohësja e politikave evropiane, pjesëtare e Institutit për Politika Evropiane (IPE), Simonida Kacarska, në kolumnën e saj për ResPublica ka notuar tre faktorë, të cilët mund të ndikojnë në mosmarrjen e datës për nisjen e negociatave anëtarësuese me Bashkimin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), transmeton Portalb.mk.

Si faktor të parë, Kacarska e paraqet pikëpamjet mbi përvojën e zgjerimit të mëparshëm, ku për disa shtete tashmë anëtare, në BE ka pakënaqësi për sundimin e ligjit. Sipas saj, skepticizmi për sundimin e ligjit, vjen si rezultat i moskrijimit të një instrumenti potencial për këtë qëllim.

“Këto diskutime janë të lidhura ngushtë me faktin se, BE-ja nuk ka të krijuar një mekanizëm të qartë për identifikimin dhe sanksionimin e mospërputhjeve të tilla në sundimin e së drejtës”, tha Kacarska.

Simonida Kacarska
Simonida Kacarska

Faktori i dytë, sipas Kacarskës është pakënaqësia nga rezultati i deritashëm me vendet që negociojnë aktualisht, siç përmend ajo, rastin me Malin e Zi dhe Serbinë.

“Nëse shikoni raportet vjetore të Komsionit Evropian dhe Komunikimin për qasje kredibile në zgjerim, përparimi i këtyre dy vendeve është larg nga shembulli për vendet e tjera. Kjo lloj ngecje, padyshim ka shtyrë që vendet anëtare të mendojnë se si të përmirësojnë metodologjinë e zgjerimit për të siguruar një përparim të qartë”, tha më tej Kacarska.

Ndërkaq, faktori i tretë dhe jo i fundit, është ngarkesa e procesit të zgjerimit të BE-së me debatin e zgjerimit dhe thellimit që, sipas saj po aktualizohet edhe me fillimin e një cikli të ri institucional në BE që nuk ka ardhur ende. Si pengesë, Kacarska e paraqet edhe mosvotimin apo zvarritjen e votimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian.

Këto faktorë mund të ndikojnë në procesin e negociatave, i cili, siç tha ajo, ka të ngjarë të jetë subjekt i kritereve dhe monitorimit më të rreptë, duke pasur parasysh përvojat e vendeve që negociojnë aktualisht.

Faktorin e parë – mossundimi i ligjit si pengesë për mosmarrjen e datës për RMV-në, e sheh edhe ambasadori i Francës në RMV, Kristian Timonie në intervistë për Portalb.mk.

Kristijan Timonie
Kristijan Timonie

“Është me rëndësi që ligjet mos të mbeten vetëm në letër dhe duhet të zbatohen. Sa i përket politikës së jashtme, presidenti Makron e përshëndeti, për herë të parë në historinë tonë, përmes një video-je arritjen e Marrëveshjes së Prespës për te treguar se e çmojmë lartë këtë që ka bërë RMV-ja, e cila ka një rëndësi serioze. Megjithatë, nuk duhet të shikojmë vetëm Prespën, por ajo që ndikon në dhënien e datës është funksionaliteti i sistemit tuaj në të cilën bëjnë pjesë institucionet, miratohen ligjet, në aftësinë për e juaj për të implementuar reformat”, tha Timonie në intervistë për Portalb.mk.

Krahas rezervës së Francës, ka befasuar edhe Finlanda, e cila doli me një propozim të ri, që paralelisht me dhënien e datës, të zhvillohet edhe reforma në BE- futja e metodologjisë së re, për çfarë konferenca ndërshtetërore e BE-së, të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020-të. Si një nga fuqitë më të mëdha të BE-së, te të cilat kishte pak hamendje, Gjermania i tha “po” nisjes së negociatave të BE-së me RMV-në.

Përndryshe, në Luksemburg, në rrjedhë është mbledhja ministrore për punë të përgjithshme e Bashkimit Evropian (BE), e cila vjen si vazhdë e mbledhjes së liderëve që do të mbahet me 17 dhe 18 tetor në Bruksel. Temë diskutimi i mbledhjeve, është bregziti dhe dhënia e datës për nisjen e negociatave anëtarësuese me BE-në për RMV-në dhe Shqipërinë. Para mbledhjes, kanë komentuar shefat e diplomacisë së Finlandës dhe Holandës, ndërkaq krerët e RMV-së janë shprehur optimistë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button