Këshilli Gjyqësor të ketë kujdes, kryetari i ri i Gjykatës Supreme të mësojë prej gabimeve të Vangellovskit
Ekspertët juridik presin që Këshilli Gjyqësor përfundimisht të përmirësohet. Ndërkaq, kryetari i ri i Gjykatës Supreme cilido-qoftë, të mos i përsëritë gabimet që i ka bërë paraardhësi i tij, Jovo Vangellovski. Ky i fundit u shkarkua nga detyra për shkak se detyrën e besuar e ka kryer në mënyrë të pandërgjegjshme dhe jo-profesionale, njofton Portalb.mk.
“Ky është moment shumë kyç dhe specifik ku duhet të tregohet se institucionet janë në gjendje që të zgjedhin profesionistë dhe jo vartës si drejtues të tyre. Këshilli Gjyqësor duhet të vendos për një njeri i cili profesionalisht duhet ta kryejë atë detyrë, ka njerëz të tillë, ka gjykatës që mund ta bëjnë atë. Kryetari duhet të zgjedhet sipas profesionalizmit dhe jo lidhshmëritë që mund t’i ketë me partitë politike”, thotë ekspertja juridike, Besa Arifi duke shpresuar se kohët kanë ndryshuar dhe se tani ndoshta gjyqtarët që janë pjesë e Këshillit Gjyqësor do të jenë më të lirë që të zgjedhin një person adekuat dhe profesionalist.
Nga ana tjetër, kryetarja e Institutit për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca-Nikollovska, thekson se kryetari i ri i Gjykatës Supreme duhet të zgjidhet në bazë të kritereve të parashtruara në Ligjin për Gjykata, ndërkaq drejtuesi i ri të nxjerrë mësime nga gabimet e të tjerëve.
“Unë shpresoj që asgjë tjetër, kryetari i ardhshëm do të nxjerrë mësime nga të gjitha gjendjet në shtet, nga të gjitha ato kritikat që janë dërguar që të mos përsëriten. Duhet të respektohen kriteret të cilat janë të parashtruara në Ligjin për Gjykata. Çështja është se nuk mund ta dimë se si dikush do të sillet pasi që ta marrë funksionin. Nëse pastaj ka problem, atëherë vijon procedura për vlerësim të punës së tij dhe procedura për shkarkim. Do të dëshiroja që të kemi kryetar të Gjykatës Supreme, ashtu siç duhet, në pajtueshmëri me kriteret, megjithatë është shumë e rëndësishme se kush do të paraqitet dhe duhet të kihet parasysh se kryetari zgjedhet nga radhët e gjykatësve aktual”, thotë Caca-Nikollovska.
Ndryshe, Faik Arsllani do të vazhdojë të jetë ushtrues detyre kryetar në Gjykatën Supreme, pasi që Këshilli Gjyqësor ende nuk ka shpallur thirrje për zgjedhje të kryetarit të ri.
Shkarkimi i Vangellovskit erdhi pasi që ai ka kryer funksionin në mënyrë jo profesionale, bazuar kjo në rastin e mosparaburgimit të biznesmenit Sead Koçan në rastin “Trust” të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Shkarkimi i Vangellovskit u propozua së bashku me dy gjyqtarë të tjerë suprem, të cilët së bashku i mbivotuan dy kolegë në këshillin penal të Gjykatës Supreme, me çka ia hoqën paraburgimin Sead Koçanit, i cili atëherë ishte i arratisur.
Opinioni e dëgjoi Vangellovskin në bombat duke kurdisur një lëndë gjyqësore me ish-ministrin Mile Janakieski, pastaj në diskutimin e një zyrtari të qeverisë ku shpalosin momente komprometuese për të. Në një raport të veçantë e ka theksuar edhe prokurorja speciale Katica Janeva si gjykatës i cili kryen ndikime dhe direktiva partiake. Vangellovski ishte kumbar i ish kryetarit të Parlamentit, ose deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski.