VV: Nuk do të ndalemi!

Pas protestës së sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, kundër nënshkrimit të kontratës për shitjen e Distribucionit të KEK-ut, drejtues të kësaj lëvizjeje, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, shpjeguan qëllimin e aksionit, arrestimet e dhunshme të policisë, si dhe pengimin e paligjshëm të deputetëve për të hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Ata thanë se pavarësisht dhunës së ushtrua mbi ta nga Policia e Kosovës, vetëvendosje nuk do të ndalë aksionet kundër procesit të privatizimit.

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje sot në një konferencë shtypi kanë shpjeguar rrjedhën e protestës së organizuar pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës kundër nënshkrimit të kontratës për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut (KEDS).

Pasi kanë shpjeguar rrjedhën e organizimit të protestës dhe ndërhyrjen e policisë mbi ta, dy nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, kanë bërë të ditur se pavarësisht dhunës që është ushtruar nga policia ata nuk do të ndalen.

“Kjo dhunë dhe kjo fshehtësi dhe mënyra e fshehtë se si po vepron Qeveria e Kosovës, veçanërisht me këtë kontratë, e tregon sa i keq dhe sa i dëmshëm është ky proces i privatizimit të cilin po e udhëheq Qeveria”, tha Ymeri.

Drejtuesit e VV përsëritën se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve, “ashtu siç po e bën Qeveria, që veç po e shkatërron ekonominë e Kosovës dhe po e shpërdor edhe keqpërdor për përfitime personale pronësinë e Kosovës, është proces që domosdoshmërisht duhet të ndalet”.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet me aktivitete e saj edhe në të ardhmen në mënyrë që ta ndalim këtë proces privatizimi dhe ta ndalim këtë Qeveri që po e shkatërron Kosovën. Ata sot na arrestuan mbi 60 aktivistë, nesër mund t’i arrestojnë edhe 160, por duhet të na arrestojnë të gjithëve neve, t’i arrestojnë të gjithë ata qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin, dhe duhet të bëjnë dhunë shumë më të madhe në qytetarët e Kosovës për ta vazhduar këtë proces në qetësi”, tha Ymeri.

Lajme të ngjashme

Back to top button