USHT i shpërblen studentët e suksesshëm

Senati i Universitetit Shtetëror të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur sot, më 17.10.2012, solli disa vendime që kanë të bëjnë me shpërblimin e studentëve të suksesshëm. 

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, në konferencën e sotme për shtyp i prezantoi para opinionit vendimet e sotme të Senatit, organit më të lartë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, të cilat ishin propozime të vetë rektorit Amet dhe që kanë të bëjnë me shpërblimin apo stimulimin e studentëve më të suksesshëm.

“Në mbledhjen e sotme të Senatit, organit më të lartë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, i paraqita këto propozim-vendime:

1. Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.5 e më lartë, do të lirohen nga pagesa e participimit, respektivisht pagesa e semestrave;

2. Studentët e studimeve deridiplomike me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.8 e më lartë, që i kanë kryer studimet, mund t’i regjistrojnë studimet e ciklit të dytë pa pagesë; 

3. Studentëve të studimeve deridiplomike, me mesatare 10.00, Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’u ndajë bursa studimi jashtë shtetit dhe në të ardhmen do t’u mundësojë të jenë pjesë e stafit akademik të Universitetit.

Pas shqyrtimit të propozim-vendimeve të lartpërmendura dhe pas analizës së procedurave dhe aspekteve financiare, Senati i Universitetit duke pasur parasysh interesin e kësaj kategorie të suksesshme të studentëve, i miratoi njëzëri këto propozime që janë të funksion të motivimit për punë kërkimore-shkencore”, tha në takimin e sotëm me gazetarët, rektori i USHT-së, Vullnet Ameti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button