ELEM TURS ka pranuar analizën financiare “due diligence” për Kodrën e Diellit, radhën e ka ELEM dhe Qeveria
Ka përfunduar sot afati për dorëzimin e analizës due diligence për Kodrën e Diellit, nga ana e kompanisë PWC e cila fitoi tenderin nga ELEM në muajin qershor. Nga ELEM TURS njoftojnë që analiza është pranuar nga ana e tyre dhe e njëjta do të diskutohet dhe analizohet, transmeton Portalb.mk.
Analiza “due diligence” përfshin një analizë të thellë të gjendjes financiare, ligjore dhe tatimore të filiales “Kodra e Diellit” – Tetovë për tre vitet e mëparshme (2016 – 2018) dhe hoteleve “Sllavia” dhe “Kodra e Diellit”.
“Sipas marrëveshjes ofruesi i shërbimit është i detyruar të kryejë shërbimet që janë subjekt i marrëveshjes brenda 60 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të marrëveshjes”. Në përputhje me Marrëveshjen midis “ELEM TURS” dhe “PWC” për përgatitjen e analizës “due diligence”, data e pritshme për dorëzim ka qenë në mes të shtatorit 2019 (më së voni deri sot më 20 shtator 2019).
“Ka arritur analiza dhe do të diskutohet. E dini si shkon procedura, meqë afati vazhdon edhe sot. Analiza duhet fillimisht të dorëzohet te ELEM, dhe më pas ELEM do e dorëzojë deri në Qeveri”, tha për Portalb.mk, Ana Zdravkovska nga ELEM TURS.
Takime boshe, diskutohet çështja e Kodrës së Diellit por asgjë nuk ndërmerret
Të mërkurën (18 shtator 2019) kryetarja e Komunës së Tetovës zhvilloi takim me Ministrin për Investime të Huaja Elvin Hasan, ku sipas tyre, është diskutuar për investimet e mundshme në Tetovë. Nga Komuna e Tetovës thonë se ata kanë sugjeruar Kodrën e Diellit si një nga qendrat ku mund të investohet, si dhe teleferikun Tetovë-Kodër Dielli.
“Ne sugjeruam që të investohet në Kodër të Diellit pasi është prioritet, të investohet në teleferikun Tetovë-Kodër Dielli si në Vodno”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Nga Komuna thonë se ministri vetëm është informuar se ku mund të investojë dhe nuk ka premtuar se do të realizojë diçka konkretisht.
Nga ana tjetër nga Ministria për Investime të Huaja thonë se në takimet me investitorët e mundshëm ata do të prezantojnë mundësitë për investim në vendin tonë
“Qeveria kujdeset për zhvillim ekonomik të barabartë, ne përkushtohemi për investime dhe zhvillim në të gjitha regjionet, duke pasur parasysh edhe Kodrën e Diellit, që mendojmë se është shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit dimëror. Sigurisht që në takimet me investitorët potencial do t’i prezantojmë mundësitë për investim në vendin tonë. Derisa gjendet investitor që mund ta përmirësojë gjendjen në Kodrën e Diellit do të bashkëpunojmë me pushtetin lokal që të realizohet investimi që do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve të Tetovës, si dhe qytetarëve të RMV-së”, thonë nga Ministria për Investime të Huaja.
Pas publikimit të lajmit nga ana e Komunës së Tetovës për takimin në fjalë, ka reaguar Iniciativa Qytetare “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Sipas tyre, po të kishte dashur komuna të bëjë diçka për Kodrën e Diellit, tanimë tre vite pas themelimit të kësaj iniciative, punët do të kishin lëvizur sadopak.
“Po të kishte pas dëshirë kjo zonjë për të dëgjuar dhe pranuar kritikat, zgjedhjet dhe mundësitë për zhvillimin e Kodrës së Diellit, sot, me siguri pas 3 viteve që nga fillimi i kësaj nismeje, Kodra e Diellit do kishte lëvizur nga ky ngërç. Më 2016 ne caktuam grupe pune për ti ndihmuar komunës, por për fat të keq na identifikuan se ne nuk jemi mekanizëm për manipulim dhe shfrytëzim”, thonë nga Iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
- LEXO: Këto janë datat deri kur duhet të dorëzohen analizat për Kodrën e Diellit
- LEXO: Elem Turs e ka përzgjedhur kompaninë që do e bëjë analizën e Kodrës së Diellit
- LEXO: ELEM TURS: Pesë kompani në garë për analizën e Kodrës së Diellit
- LEXO: ELEM TURS pas shumë premtimesh, më në fund e ka hapur tenderin për studimin e fizibilitetit për Kodrën e Diellit
- LEXO: Ende nuk është shpallur tenderi për kompaninë që do ta bëjë analizën e Kodrës së Diellit