Sot, debati i dytë Obama-Romney

Sot, e martë, në New York do të mbahet debati i dytë ndërmjet Barack Obamas dhe republikanit Mitt Romneu. Fushata e presidentit Barack Obama dhe rivalit të tij republikan, Mitt Romney, po shpreh besim rreth aftësive të secilit kandidat për të paraqitur qartë pikpamjet e tyre para popullit amerikan në debatin, që do të zhvillojnë sonte në mbrëmje, raporton Zëri i Amerikës.

Para gati dy javësh, Obama u paraqit në debatin e parë presidencial, edhe sipas vlerësimit të përkrahësve të tij më besnikë, në një formë të dobët dhe aspak frymëzuese përkundrejt rivalit të tij,  Romney, i cili u duk qartë se ishte përgatitur mirë për atë debat.

David Axelrod, këshilltari i lartë i fushatës së presidentit Obama, tha se debati i së martës mes dy kandidatëve do t’i japë presidentit mundësinë të argumentojë më mirë politikat e tij dhe se pse ai mendon se duhet rizgjedhur.

“Një gjë tjetër që presidenti me siguri do të bëjë është, ne shikuam Guvernorin Romney se si vazhdimisht u tërhoq nga propozimet e tij dhe presidenti me siguri që do t’i bëjë atij sfidë në këtë drejtim, ashtu siç ndodhi mes nën-presidentit Biden dhe rivalit të tij republikan, Paul Ryan”.

Këshilltari i lartë i fushatës së zotit Romney, Ed Gillespie tha se ish guvernatori do të vazhdojë të flasë rreth çështjeve që shqetësojnë popullin amerikan.

“Objektivi ynë është t’i bëjmë të mundur popullit amerikan të njihet me vetë zotin Romney, dhe të dëgjojë planet e tij për ta kthyer vendin në drejtimin e duhur, të shikojë zgjedhjen shumë të qartë që amerikanët do të kenë para tyre për sa i përket drejtimit që do t’i japë vendit Mitt Romney, duke ulur taksat për klasën e mesme, duke balancuar buxhetin dhe duke krijuar përsëri vende pune, krahasuar me politikat e Presidentit Obama, të cilat do të krijojnë 4 vjet të tjerë si 4 vitet e fundit, të cilat ne nuk mund t’i përballojmë dot”.

Që prej debatit të parë, presidenti ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes në anketat e opinionit, ndërkohë që zoti Romney ka tërhequr grumbuj më të mëdhenj dhe më entuziastë amerikanësh në takimet e fushatës.

Debati i sotëm është i dyti mes 3 debateve të transmetuara në gjithë vendin në televizion, të planifikuara para zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button