Kosovë, bie mocioni i Vetëvendosjes

Kuvendi i Kosovës ka hedhur poshtë me shumicë votash mocionin e lëvizjes Vetëvendosje, të mbështetur nga partitë e tjera të opozitës, për ndaljen e proçesit të privatizimit.

Sipas raportimeve të “REL”, mocioni i partisë së dytë më të madhe të opozitës është rrëzuar me 53 vota kundër, 45 pro dhe 3 abstenim.

Seanca parlamentare filloi me debate e polemika mes deputetit Visar Ymeri, parashtrues i mocionit dhe krerëve të PDK-së, Adem Grabovci dhe Hajredin Kuçi në lidhje me proçedurat.

Ngatërrimi i tyre erdhi si pasojë e vendosjes në rend të ditës të mocionit për ndërprerjen e procesit të privatizimit dhe rezolutës së shumicës për vazhdimin e këtij proçesi.

Por në fund u vendos që të kalohej për votim vetëm mocioni i opozitës, pasi rezoluta e partisë në pushtet rezultonte e panevojshme, bën të ditur “REL”.

Me votimin e së enjtes, proçesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike, Postë Telekomit të Kosovës dhe sistemit të shpërndarjes së KEK-ut, mund të vijojë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe më pas partitë e tjera të opozitës e kundërshtuan këtë proçes me argumentet se privatizimet do të lënë të papunë punëtorët kosovarë dhe do të monopolizojnë tregun kosovar.

Lajme të ngjashme

Back to top button