PYKA, mbështetje për Abetaren Mbarëkombëtare

Lëvizja PYKA përmes një komunikate për media ka dhënë mbështetjen e saj për angazhimin e Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” për aplikimin e Abetares Mbarëkombëtare edhe në Maqedoni.

“Lëvizja PYKA, mbështetë fuqishëm angazhimin e Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë „Naim Frashëri„ Kumanovë – Likovë, për aplikimin e Abetares Mbarëkombëtare për klasat e dyta nëntëvjeçare me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni. Vlerësojmë se dështimi i institucioneve zyrtare të Maqedonisë që deri më tani kjo Abetare e unifikuar të bëhej pjesë e sistemit tonë arsimor, ka nxitur këtë nismë të SHASH-it të Kumanovës, që ta vë në përdorim tekstin që unifikon të gjithë filloristët shqiptarë kudo që janë” – thuhet në komunikatë.

Nga kjo lëvizje potencojnë se është absurde që vetëm shqiptarët e Maqedonisë të mbeten jashtë këtij projekti, duke kërkuar nga institucionet relevante që të mbështesin këtë nismë, me qëllim që e njëjta të realizohet.

“Derisa kjo Abetare, tani më ka filluar të gjejë zbatim në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e madje edhe në Serbi (Luginën e Preshevës), është absurde që vetëm fëmijët shqiptarë të Maqedonisë të diskriminohen nga kjo mundësi. Njëkohësisht, kërkojmë nga të gjitha institucionet përkatëse, Ministria e Arsimit, komunat, OJQ-të, intelektualët dhe të gjithë dashamirët e arsimit shqip, që ta përkrahin pa rezervë këtë nismë që sa më shpejtë të realizohet” – përfundon komunikata e Lëvizjes PYKA./Portalb/    

Lajme të ngjashme

Back to top button