Bukoshi: Jam i gatshëm për gjykim

Prej së enjtes Bujar Bukoshi është deklaruar i gatshëm të gjykohet për veprën që ngarkohet nga Prokuroria.

Por para se të ndodhë kjo do të bëjë një ankesë në kolegjin prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës kundër aktvendimit për konfirmim të aktakuzës që ka nxjerr gjyqtarja e EULEX-it, Mariola Pasnik, të mërkurën.

Ajo ka konfirmuar aktakuzën pjesërisht kundër zëvendëskryeministrit të Kosovës për shpërdorim të detyrës zyrtare. 

Pjesërisht e ka konfirmuar aktakuzën e prokurores Maria Bamieh kundër ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe të tjerëve.

“Unë nuk e kam problem d.m.th., hiç s’më pengon ajo. Ma mirë do të ishte sikur gjykata ta hidhte atë aktakuzë se me të vërtetë nuk kanë pasur kurrfarë baze. Po flas për veten time edhe unë jam i vetëdijshëm se procesi është kompleks, i madh e tjera e tjera, këtu nuk ka kurrfarë baze sa më përket mua”, ka thënë Bukoshi të mërkurën për “Kohën Ditore”.

“Bile-bile, nesër paradite le të fillojë procesi, unë jam i gatshëm të përballem dhe e di që nuk ka kurrfarë baze dhe do të dal plotësisht i pafajshëm”, tha ai.

Akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare ai e ka interpretuar jo si dëmtim të një kompanie private, por si mbrojtje të buxhetit të Kosovës.

Ai ka thënë se nëse konsiderohet shpërdorim denoncimi i një rasti kur Ministria që ka drejtuar ai një kohë kishte humbur një milion e gjysmë, atëherë ka thënë se nuk e ka problem të gjykohet. Ai ka paralajmëruar ankesë në kolegj./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button