Roboti i parë shqiptar (VIDEO)

Është vetëm një prototip, por perspektiva e tij është të kthehet në një pajisje të vërtetë industriale. Ky është roboti i parë shqiptar. Edhe pse një krijesë në miniaturë për momentin, ai është i aftë të veprojë i pavarur në mjedis sipas komandave të paracaktuara.

Dy vjet më parë ideja për të nisi përmes një punimi shkencor doktorature. Eva Cipi dhe Alketa Hysi, inxhiniere kompjuterësh, hartuan softin e parë të një roboti “made in Albania”. U krijuan simulime për agjentë robotikë, të fokusuar në një sistem navigimi të palëvizshëm. Me shumë këmbëngulje dhe peripeci, projekti sot ka avancuar në këtë aplikacion.

“Qëllimi ka qenë ndërtimi i një prototipi robotik që do të aplikohet në supermarkete”, shprehet inxhinierja.

Kjo krijesë e vogël informatike është e aftë të marrë komanda nga sistemi qendror, nëpërmjet të cilit lidhet me ‘wireless’: “Kjo është një pjesë e sistemit të menaxhimit implementuar tek një aparat i vogël. Realizon detyrën e furnizimit automatik në pikat e shërbimit.”

Që në një projekt më madhor mund të përkthehej në një robot, i cili do të marrë detyrën e furnizimit të rafteve të supermarketit me produkte, momentin që ato do të shiten.

Sigurisht që ky nuk është një qenie perfekte me sjellje inteligjente informatike. Por për Evën tanimë janë marrë prova të sigurta për një projekt më madhor: “Punon normalisht edhe pse me disa kufizime.”

Roboti i parë i programueshëm në botë është krijuar më 1954 nga George Devol. Ai iu shit kompanisë General Motors në 1961, ku u përdor për transportin e pjesëve të nxehta metalike gjatë prodhimit të makinave në New Jersey. Prej atëherë robotika është zhvilluar me ritme marramendëse, por në Shqipëri kjo fushë preket në shekullin e 21-të, me një krijesë që edhe pse ende foshnjore, premton shumë.

Gabor thotë: “Ishte bukur kur realizuam komunikimin me ‘wireless’ se këtu kjo gjë nuk ishte bërë më parë”. /TCH/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button